Dhunë dhe kokainë bashkë me 4 shokë/ Mbajti peng 1 javë bashkëjetuesen me dhunë, arrestohen
Gleard Gusholli, 31 vjeç, u bë protagonist i një ngjarjeje të rëndë të denjë për një skenar filmi horror në Tiranë. I riu u arrestua këtë të diel nga efektivët e Komisariatit nr. 2 në kryeqytet pasi dhunoi në mënyrë barbare dhe mbajti peng për një javë bashkëjetuesen e tij 28-vjeçare në afërsi të zonës së ish-Parkut të Autobusëve, në rrugën “Frosina Plaku”. 31-vjeçari, nuk ishte i vetëm në “çmendurinë” e tij barbare, por u ndihmua edhe nga 4 persona të tjerë për t’u fshehur dhe prishur provat në vendin ku e reja u mbajt e dhunua në mënyrë sistematike për një javë, të cilët u arrestuan. Besmir Nurçellari, 36 vjeç, Arjan Sheta, 41 vjeç, Bledi Kateshi, 27 vjeç dhe Erlind Kateshi, 42 vjeç, u prangosën bashkë me 31-vjeçarin Gusholli në operacionin “Locked”.
28-vjeçarja u dërgua fillimisht në një klinikë private pranë Komisaristit nr. 2 nga dy vajza, njëra prej të cilave e motra e agresorit Gusholli, e cila dërgoi më pas hetuesit në banesën ku vajza u mbajt peng dhe u dhunua. Vajza më pas u dërgua në Spitalin e Traumës për ndihmë më të specializuar pasi gjendja e saj ka qenë shumë e rëndë, e goditur, rrahur dhe gjakosur në të gjitha pjesët e trupit. Gjatë kontrollit në banesën ku e reja u mbajt dhe dhunua për ditë me radhë, policia gjeti dhe sekuestroi kokainë dhe mjete që përdoren për konsumimin e kësaj lënde narkotike. Si provë materiale policia gjeti edhe një këmbë karrige, me të cilën dyshohet se 31-vjeçari dhunoi barbarisht të renë që kishte disa kohë që kishin krijuar marrëdhënie intime.
Pas avancimit të hetimeve, hetuesit e Komisariatit nr. 2 kuptuan se njëri prej djemve që e kishte ndihmuar të arratisej Gushollin dhe të largohej nga vendi i ngjarjes ishte kunati i tij, burri i motrës që fillimisht me shoqen e saj dërgoi për ndihmë mjekësore vajzën e re të dhunuar. Pas disa orë kërkimesh, më në fund 31-vjeçari Gleard Gusholli u lokalizua rreth e qark lagjes në afërsi të Zogut të Zi dhe u vu në pranga. Ai është marrë në pyetje nga policia dhe në deklarimet e para ka thënë se e ka bërë prej xhelozisë që kishte për të renë 28-vjeçare, por nuk ka dhënë detaje të tjera më të plota. Vajza raportohet se është jashtë rrezikut për jetën dhe është përmendur, por është në mbikëqyrje intensive nga bluzat e bardha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



