Ronela Hajati nuk kursehet, kritikon ashpër festivalin e këngës.

Ronela Hajati, e ftuar në “Why Not” foli për përvojën e saj në skenën e Eurovision-it, këtë herë si përfaqësuese e San Marinos, por u ndal edhe te mungesa e një ftese nga “Festivali i Këngës” në RTSH, ku siç e do tradita, duhet të performonte këngën e saj fituese nga edicioni i kaluar.

“Nuk e di realisht arsyen se pse nuk më thirrën. Në fakt, mua më thirrën për të dhënë çmimin në natën finale, por unë s’mund të jap çmim pa qenë juri dhe pa kënduar, kështu që m’u duk si “larje goje”, por pa pastë dhëmbësh. Ajo është traditë shumëvjeçare dhe unë kushdo që të jem, duhet të isha në festival. Edhe më shumë për qejf, se unë s’fitoja apo humbja ndonjë gjë”.

Ajo tha edhe se nuk do ta mendojë që pas mungesës së një ftese nga ana e Festivalit, qëndron Arbana Osmani.

“Unë nuk dua të mendoj që është Arbana pas kësaj, pasi unë nuk e njoh personalisht, as më ka bërë dhe as nuk i kam bërë gjë, që të kemi ndonjë hatërmbetje apo inat të vjetër. Unë mendoj se ajo është tepër profesioniste, e rrahur në punë gjatë gjithë kohës me njerëz dhe sjelljet burokratike të medias, sa të bëhet aq “e vockël” sa të mos më ftojë mua. Mbase edhe nuk e kanë menduar, se këtë vit ai ka qenë festivali i përmasave gjigante dhe mbase s’kanë pasur kohë të mjaftueshme.”, tha Ronela.  

Ronela u shpreh edhe që edhe pse s’e ftuan, sërish i bënë ca batuta ndaj saj.

“Është e kotë të thuash që s’e kam parë, absolutisht që u pa se u bë një gjë që “ku është Ronela, se e ftuam?” (referuar batutës) dhe Ronela, tha se “Jo pra, s’më ftuat! Ideja është që kur unë kthej përgjigje, dal unë e keqja, këta që i bëjnë janë gjithmonë shumë më lart. Ndaj, unë zgjedh shumë shpesh të mos më. Megjithatë, mua më ftuan në Spanjë, për finalen e tyre, kështu që pa finale s’mbeta, shkova atje”, tha këngëtarja. Ajo shtoi edhe se ndoshta u ka ardhur turp ta ftonin në festival, duke u shprehur:

“Mbase u ka ardhur turp të më merrnin mua, se nuk kam qenë ndonjëherë në nivelin e festivalit të tyre, nuk është ndonjë gjë” dhe shtoi se festivalin e 60-të e fitoi ajo dhe kaq, i ka vënë kapakun historisë.

Kjo nuk është hera e parë që Ronela flet për “harresën” për t’i dërguar ftesën që të performonte në “Festivalin e Këngës”. Më parë, përmes një postimi në Instastory, Ronela është shprehur:

“Më ka aq shumë ky shpirt e kjo gojë për të folur, por më duket sikur do t’i heq vetes riskun që Zoti do ma japë një ditë, për të gjithë atë që meritoj për kaq shumë vite punë, lot, mundim, pasion e dashuri të madhe për muzikën. Unë nuk isha e ftuar për të performuar këngën fituese ashtu siç duhet! “Sekret” e ka marrë gjithë dashurinë që ka pasur nevojë e për këtë i jam mirënjohëse vetëm publikut këtu dhe jashtë. Drejtimi mediokër e i vogël me veprime skuthe duke mos më përfshirë mua as në siglat e festivalit nuk e heq dot suksesin e këngës. T’ju shaj?! Kurrë! S’ka fjalor që mund t’i përshtatet neverisë që më keni përcjellë. Në të gjithë botën vetëm mediat shqiptare kërkojnë të bëjnë armiq nga hiçi”.

Publikuar nga Publik Media