Kryengritja e armatosur e trupës së Wagner, Putin: S’do lejojmë luftë civile!
Presidenti rus akuzoi trupat Wagner si “tradhtarë” që do të ndëshkohen pa vonesë. Kryengritja e trupës Wagner është “kërcënim vdekjeprurës” për Rusinë tha presidenti rus, i cili theksoi, se nuk do të lejojë një luftë civile në Rusi. Ai iu drejtua rusëve për unitet dhe e cilësoi thirrjen për kryengritje një “thikë pas shpine” për Rusinë. Putin e akuzoi Prigoshin, që ka qenë një i besuar prej kohësh i Putinit, se për shkak të një ambicie të tejskajshme po tradhton vendin e tij.

Në Rusi është shkaktuar një krizë e madhe ushtarake. Kryetari i ushtrisë “Wagner” dhe miku i ngushtë i Presidentit rus deri vonë, Yevgeny Prigozhin “i shpalli luftë” Ministrisë së Mbrojtjes, duke e vënë atë në trajektore të destabilizimit të brendshëm.
Prigozhin ka deklaruar se zyrtarët e Kremlinit shkaktuan vdekjen e mijëra ushtarëve të tij, ndërsa tashmë kërkon ndëshkim. Ushtria e “Wagner-it” e udhëhequr nga Prigozhin është vendosur në Rostov që nga fillimi i së shtunës, teksa raportojnë se kanë marrë tashmë ndërtesën e qeverisë ushtarake dhe ministrisë së Brendshme në qytetin rus.
Ndërkohë BBC e ka quajtur rebelimin e Prigozhin si ‘dalja e xhindit nga llamba’. “Wagner” ka vënë nën kontrollin e tyre aeroportin ushtarak të qytetit, duke lejuar megjithatë nisjen e avionëve të destinuar për në fushën e Ukrainës.
Qeveritë europiane po e ndjekin me vëmendje konfliktin e hapur në Rusi. Qeveria gjermane bën të ditur, se po i ndjek me vëmendje të madhe zhvillimet në Moskë. “Ne po e ndjekim shumë vëmendshëm atë që po ndodh në Rusi”, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane. Nga Parisi zyrtar bëhet e ditur, se edhe presidenti Macron po e ndjek me shumë vëmendje gjendjen aktuale në Rusi. Edhe Polonia bën të ditur se po e monitoron situatën në Rusi. Kështu u shpreh presidenti polak, Andrzej Duda.
Ministria britanike e Mbrojtjes në një paralajmërim udhëtimi të aktualizuar bën fjalë për rrezik trazirash në të gjithë Rusinë. “Ka raportime për tensione ushtarake në rajonin Rostov dhe rrezik trazirash në të gjithë vendin.” /DW
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



