Sherri në Tiranë nisi për ngacmimin e një vajze para 3 vitesh
Dy vëllezër kanë mbetur të plagosur me thikë pas një sherri për motive të dobëta në Tiranë, ndërkohë që pas hekurave përfundoi autori i dyshuar. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave përfundoi 35-vjeçari Gert Latifi, banues në Lushnjë.
I riu pas një konflikti për motive të dobëta, në rrugën “Thoma Koxhaj”, ka goditur me mjet prerës shtetasit Reset Abazaj, 26 vjeç dhe Viliardo Abazaj, 31 vjeç (vëllezër), të dy banues në Tiranë, dhe më pas është larguar.
Burime për Syri TV bëjnë me dije se autori i plagosjes së dy vëllezërve Abazaj, Gert Latifi, ishte kthyer pak kohë më parë nga Italia, ku jetonte me bashkëshorten dhe fëmijët.
Sherri mes të rinjve, sipas deklarimeve të tyre, kishte nisur për ngacmimin e një vajze, tre vite më parë. Mbrëmjen e djeshme, 35-vjeçari Latifi komunikoi me dy vëllezërit dhe la takim për t’u sqaruar. Konflikti mes tyre fillimisht nisi me fjalë, u pasua me sharje dhe përplasje fizike me grushta. Më pas Latifi i plagosi me thikë.
Pas ngjarjes u largua menjëherë dhe u zbulua nga mjeti që lëvizte, të cilën e kishte marrë me qira.
Përmes GPS së makinës policia bëri të mundur identifikimin dhe më pas lokalizimin në Lushnjë në një hotel, ku iu gjet edhe një sasi kokaine.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


