E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Pse Shqipëria e ka vendin në procesin frytdhënës të Berlinit dhe jo dyerve të mbyllura të Ballkanit të Hapur”
Lajme

“Pse Shqipëria e ka vendin në procesin frytdhënës të Berlinit dhe jo dyerve të mbyllura të Ballkanit të Hapur”

Nga IRENA BEQIRAJ/
Procesi i Berlinit padyshim që është një mundësi e mirë për vendet e Ballkanit Perëndimor por ai ka nevojë të rishikohet në disa drejtime.
Ndryshimi në Qasje !

Është fakt i gjithëpranuar tanimë që në të gjithë planet e deritanishme të ofruara nga Procesi i Berlinit, qeveritë e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk kanë pasur pronësi në proces. Thënë kjo, sado tërheqëse, elegante dhe bindëse kanë qenë planet integruese kur ato vijnë nga lart-poshtë ku BE vendos si duhet të jetë procesi dhe qeveritë e drejtojnë procesin me vendimmarrje në letër, rezultatet në praktike janë të pakta ose në rastin më të keq vendimmarrjet nuk janë implementueshme.

Planet integruese nga lart-poshtë, janë të mbushura me pritje të mëdha, por u mungon tërheqja ndaj emocioneve dhe ndjenjave që nevojiten për të ndryshuar sjelljen njerëzore, ndaj dhe kanë rezultuar zhgënjyese.

Pasqyrimi i ideve dhe aspiratave të njerëzve edhe komuniteteve që do të integrohen duke përfshirë në proces qasje nga poshtë-lart mundëson krijimin e narrativave që frymëzojnë dhe fuqizojnë lëvizjet shoqërore duke mundësuar kështu një numër të madh ndryshimesh të vogla, të cilat do të krijonë bazamentin e nevojshëm për ndryshime sistematike.

Ndaj edhe zhvendosja e Samitit në Tiranë nuk ka lidhje me arritjet e Tiranës zyrtare. Zhvendosja e tij në një nga vendet e Ballkanit Perëndimor duhet parë si hap drejt ndryshimit në qasje . Ajo tregon një përpjekje që 6 vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin pronësinë e procesit.

Shtimi i Mekanizmave Institucionalë

Duke pasur parasysh nivelin e zhvillimit institucional të 6 vendeve të Ballkanit perëndimor, ka një nevojë të dukshme për mekanizma shtesë institucionale, të cilat nevojiten : për të lehtësuar punën e 6 vendeve me njëri-tjetrin; për të ndërtuar konsensus lokal dhe rajonal ; dhe për të zhvilluar aftësitë e nevojshme brenda vendeve për hartimin, zbatimin dhe mbikëqyrjen e procesit.

Kështu siç është sot, procesi nuk ofron mekanizma institucionale të mjaftueshme, të cilat mund t’i përgjigjen me shkathtësi informacioneve dhe imperativave të reja. A do të ketë mekanizma institucionale shtesë? – Kjo pritet për tu parë.

Mungesa e infrastukturës edhe konektivitetit . Plani i ri i rritjes !

Studimet e fundit tregojnë se Ballkani Perëndimor duhet të investojë çdo vit 12 për qind të PBB-së në mënyrë që të ndërtohet infrastuktura e nevojshme për t’u integruar. Deri tani , Plani Ekonomik dhe Investues për Ballkanin Perëndimor i ofruar nga BE ka qenë i pamjaftueshëm dhe ka përfaqësuar thjesht një strategji “mbajtëse” por jo një hap vendimtar përpara. Vlera prej 9 miliardë euro për të gjithë gjashtë ekonomitë gjatë periudhës shtatëvjeçare është vetëm sa 1 për qind të PBB-së në vit, ndërkohë që nevojat janë për 12 për qind.

Ursula von der Leyen ka folur për një plan te ri të rritjes. Nëse merret në konsideratë eksperienca e mëparshme e vendeve të Europës qendrore ajo tregon se në këto vende ishte rritja e të ardhurave për frymë që rriti kërkesën dhe ofertën për produkte të rajonit duke ndikuar në rritjen e tregtisë dhe investimeve ndër rajonale. Sipas analizave të këtij rajoni, rritja nga 1 në 2% e transfertave vjetore të BE në drejtim të këtyre vendeve rriti PBB-në e tyre mesatarisht me 14% .

Çfarë do të ofrojë plani i ri i rritjes? Do ishte një risi nëse do të ofronte përfshirje të parakohshme me akses të plotë në buxhetin e BE-së të gjashtë vendeve të Ballkanit perëndimor. Sipas studimeve edhe analizave kjo do t’u krijonte një mundësi reale 6 vendeve jo vetëm të avanconin në përpjekjet për tu integruar me njëri-tjetrin por edhe të përmbushnin më shpejt kriteret e hyrjes në BE.

Por autokracitë në 6 vendet e BP kanë akumuluar pushtet edhe janë bërë imune karshi gabimeve të tyre, edhe në vend të ndryshojnë qasjet e tyre, me qëllim që ato t’i përshtaten realitetit, ato përpiqen të ndryshojnë përceptimet mbi realitetin “Kjo gjendje e ky realitet brenda vendeve të BP ndoshta e bën këtë një vendim të pamundur për BE-në. Por sot padyshim lajmi më i mirë është kthimi i Tiranës zyrtare atje ku e ka vendin Shqipëria, në Procesin frytdhënës te Berlinit duke i dhënë fund bredhjeve edhe llomotitjeve dyerve të mbyllura të Ballkanit të Hapur.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.