E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Buxheti/ Mazhoranca shton fondet për institucionet e drejtësisë, ILDKP merr 600 mln për të blerë makina
Lajme

Buxheti/ Mazhoranca shton fondet për institucionet e drejtësisë, ILDKP merr 600 mln për të blerë makina

Mazhoranca ka miratuar në komisione buxhetin e ri 2024, buxhet i cili duket se do të sjellë shumë fonde për institucionet e pavarura. Në raportin e Komisionit të Ligjeve për Buxhetin 2024, është  kërkuar  nga Komisioni i Ekonomisë të rritet ndjeshëm buxheti për ILDKP, SPAK, KLGJ, KLP, organet e vetingut dhe Kushtetuesen.

ILDKP që  ka për detyrë të hetojë pasuritë e pushtetarëve, ka rënë në heshtje. Ky institucion  do marrë 60 mln lekë që inspektorët të blejnë makina.

“Komisioni vendosi t’i propozojë komisionit përgjegjës, miratimin e shtesave të përllogaritura në total në vlerën 21.5 milion lekë, nga të cilat: 500 mijë lekë shtesë në zërin e transferimeve korrente për oganizata ndërkombëtare si kuotë vjetore për tu paguar në Rjetin Europian të Shërbimeve të Inspektimit; 21 milion lekë shtesë në zërin e shpenzimeve për investime, nga të cilat: 12 milion lekë shtesë në zërin e investimeve për mbulimin e kostove shtesë të punimeve sipas preventivit të projektit të rishikuar të rikonstruksionit të godinës; 3 milion lekë shtesë në zërin e investimeve për furnizim të pajisjeve të dhomës së serverave pas rikonstruksionit;  6 milion lekë shtesë në zërin e investimeve për blerjen e automjeteve shtesë në dispozicion të inspektorëve”, thuhet në raport.

Gjykata Kushtetuese është një organ tjetër që PS kërkoi ta joshte me rritje pagash. Por ligji u bllokua nga opozita dhe PS duket se ka vendosur të ndërhyjë me forma të tjera.

“Në përfundim të diskutimeve për këtë institucion, Komisioni vendosi t’i propozojë komisionit përgjegjës miratimin e shtesës së 6 punonjësve shtesë dhe fonde shtesë në zërat e projektbuxhetit 2024, të përllogaritura në vlerën 35 milion lekë, nga të cilat: 12 milion lekë shtesë në zërin e shpenzimeve për paga dhe kontribute për përballimin e kostove shtesë të 6 punonjësve. 12 milion lekë shtesë në zërin e shpenzimeve për mallra dhe investime për akomodimin e gjitha nevojave të shtuara si pasojë e numrit të shtuar të çështjeve të shqyrtuara nga kjo Gjykatë si dhe për organizimin e mbledhjes së radhës së Byrosë të Shoqatës së Gjykatës Kushtetuese Frankofone. 11 milion lekë shtesë në zërin e investimeve, për realizimin e investimeve si mbrojta ndaj zjarrit, pajisje zyre, informatizim i veprimtarisë, bibliotekë e pasuruar dhe rikonstruksioni i godinës”, thuhet më tej.

Padyshim fonde do të ketë dhe për SPAK, organ i cili nuk ka toleruar këto kohë as socialistët: “Komisioni vendosi t’i propozojë komisionit përgjegjës miratimin e shtesave të përllogaritura në vlerën 320 milion lekë shtesë, nga të cilat: 20 milion lekë në zërin e shpenzimeve për mallra dhe shërbime dhe  300 milion lekë shtesë në zërin e investimeve, duke alokuar për këtë vit të gjitha vlerat e parashikuara në PBA për këtë zë, për vitet 2025 dhe 2026”.

PS  ka kërkuar fonde dhe për Autoritetin e Dosjeve të Sigurimit, i cili merr miliona por duket se nuk jep asnjë rezultat. U fol me bujë se do hapen dosjet e sigurimit, por u harrua çdo gjë. “Në përfundim të diskutimeve, Komisioni vendosi ti propozojë komisionit përgjegjës miratimin e shtesës në zërin e shpenzimeve për investime në vlerën 13.8 milion lekë për të cilat nevojiten për blerjen e rafteve për kartotekën, blerjen dhe instalimin e impjantit hidrik të mbrojtjes kundër zjarrit, përshtatjen e mjediseve për zyra, instalim sistemi sallë mbledhje dhe sallë studimi”, thekson Komisioni i Ligjeve.

Fonde janë propozuar edhe për organet e vetingut, për KLGJ KLP, KQZ dhe shumë institucione të tjera. Mbetet të shihet nëse Komisioni i Ekonomisë i ka pranuar apo jo të gjitha propozimet, pasi është ai që firmos në fund.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.