Rama i vendosur kundër komisioneve hetimore, mbyll çdo derë dialogu me opozitën

Rama e bëri të qartë se nuk ka ndërmend të ulet në një tryezë me opozitën, nuk ka ndërmend të pranojë komisionet hetimore dhe për më tepër, do i shkojë deri në fund planit për të miratuar ligjin e debatueshëm për komisionet hetimore…

Kryeministri Edi Rama duket i vendosur për të mos ndërhyrë me qëllim shuarjen e konfliktit në Kuvend.

Opozita ka mbi një muaj që po shkakton kaos në seancat plenare dhe komisionet parlamentare, duke kërkuar nga PS që të pranohen kërkesat e tyre për komisionet hetimore. Por mazhoranca duket se nuk pranon të dialogojë dhe në korridoret e politikës është folur për një bashkëpunim në distancë Rama-Berisha. Të dy nuk e duan drejtësinë të veprojë dhe për sa kohë politika është e trazuar, drejtësi duket e pafuqishme.

Këtë skenar Rama e përforcoi sot në një emision. Ai e bëri të qartë se nuk ka ndërmend të ulet në një tryezë me opozitën, nuk ka ndërmend të pranojë komisionet hetimore dhe për më tepër, do i shkojë deri në fund planit për të miratuar ligjin për komisionet hetimore. Pra konflikti do të vijojë.

Kjo nuk është çështje impresionesh të para por kornize kushtetuese dhe ligjore sepse sigurisht Kushtetua i jep të drejtën një grupi deputetësh, të cilët kanë një numër të kufizuar brenda parlamentit, pra edhe opozitës që të kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar. Por ngritja e tij nuk është një veprim automatik por një vendim që merret mbi bazën e kritereve kushtetuese dhe ligjore. Sa kohë nuk plotësohen këto kritere këto komisione nuk do të ngrihen”, tha ai.

Kreu i qeverisë u shpreh në “A2 CNN” se opozita e ka një zgjidhje nëse mazhoranca ka gabuar me mohimin e ngritjes së këtyre komisioneve dhe ajo është Gjykata Kushtetuese. Ai shtoi se të gjitha kërkesat e opozitës janë shqyrtuar një më një dhe të gjitha kanë pasur shkelje.

Komisionet janë të gjitha jashtë parimeve kushtetuese. Është humbje kohe. Ne i kemi të argumentuara të gjitha një për një sipas Kushtetueses, arsyet përse janë të pamundura si Komisione. Ka prapë rrugë. Ka Gjykatës Kushtetuese”, tha Rama.

Edhe pse ligji i ri i komisioneve hetimore shihet si një manovër që i mbyll çdo derë opozitës dhe që mund të shtojë tensionet, Rama duket i vendosur për ta miratuar.

Ligjin do ta ndryshojmë sepse historia e komisioneve tona parlamentare është një histori shumë e shëmtuar, unikale në botë. Kjo është një histori që përveç të tjerave është zhvilluar si e tillë në mënyrë vulgare dhe në mënyrë të shëmtuar sepse kur është bërë ligji i komisioneve hetimore parlamentare është marrë modeli gjerman ose çfarë ju ka rënë në sy ose çfarë kanë menduar”, tha ai.

I pyetur se çfarë zgjidhjesh ofron për t’i dhënë fund krizës, shefi i qeverisë rrëzoi kategorikisht mundësinë e kundërpërgjigjes me dhunë dhe nënvizoi se nuk mund të ketë një zgjidhje në kushtet, kur “një lukuni luanësh” sipas tij synojnë “të rrëzojnë regjimin”. Ai deklaroi se opozita po aplikon një agjendë destruktive për të shkaktuar konflikt dhe kaos.

Nuk kam. Nuk mund të zgjidhesh dot një situatë që në mënyrë të qëllimshme bëhet nyje sepse janë agjenda totalisht të ndryshme. Jo se janë qëndrime për borxhin, apo qasje për punësimin, apo opinione për rrogat. Njëra është një agjendë normale pune parlamentare dhe qeverisëse. Tjetra është agjendë destruktive për të krijuar sa më shumë kaos dhe konflikt, me shpresën se do të zgjojë lepurin në zemrat e luanëve, ose luanin në zemrat e lepujve. Një shprehje që thuhet se është qëllimi final i gjithë kësaj. Do vritet lepuri dhe do zgjohet luani në zemrat e gjithë shqiptarëve dhe pastaj një lukuni e madhe luanësh do të rrëzojë regjimin. Në këtë rast nuk ke çfarë zgjidh fare. Në rast se këtu këta djem që janë mbrapa kamerave papritur na sulen ne. Çfarë bëjmë ne të tre? Ne i mbajmë këta që të mos ju hanë juve. Në çdo rast kundërveprimi ndaj tyre me dhunë do të ishte katastrofë”, tha Rama.

Pra duket sikur skenari vijon. Berisha kërcënon dhe shkakton kaos nga njëra anë, ndërsa Rama nga ana tjetër i jep ushqim që ai të vijojë tensionet.

Publikuar nga Publik Media