E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Miratohet në parim Amnistia  Penale
Lajme

Miratohet në parim Amnistia Penale

Miratohet në parim, projektligji për Amnistinë Penale, me 15 vota pro, në Komisionin e Ligjeve.

Gjatë fjalës së tij, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, u shpreh se nëse ky projektligj merr miratimin nga Kuvendi përfitojnë 700 persona të dënuar dhe 2500 persona në shërbim prove.

Ai nënvizoi se kategoria që përfitojnë ulje dënimi shkojnë nga 1200 në 1600 të dënuar.

“Ka pasur modele që Amnisti ka pasur dhe për të dënuarit dhe për ndjekjet penale. Ka pasur dhe vetëm për personat e dënuar, se ky është qëllimi. Nuk ka dashur Amnistia që t’i heqë instrumentin nga duart e drejtësisë, për akuzat që ngrihen nga prokuroria. Ka pasur modele të tilla. Kemi statistika të sakta. Kemi kërkuar Amnisti sepse kemi 2200 persona të dënuar. Nëse do të merret miratimi i Kuvendit, përfitojnë 700 persona të dënuar dhe 2500 persona në shërbim prove. Kategoria që përfitojnë ulje dënimi shkojnë nga 1200 në 1600 të dënuar. Këto janë statistika në lidhje me këtë Amnisti. Lidhur me personat që janë në hetim apo gjykim, nëse tejkalojnë rregullin që do të amnistojmë veprat që dënohen deri në 2 vite, s’ka subjektivizëm. Nëse do të shkojmë përtej këtij marzhi, këtu është një moment delikat që ne interferojmë në punën e sistemit të drejtësisë”, tha Manja.

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja i është përgjigjur deklaratës së Enkelejd Alibeajt në Komisionin e ligjeve, ku tha se deputetët dorëzojnë amendamente me qëllim përfitimin nga persona specifikë.

Manja tha se kushdo që bën aludime të tilla do të thotë se gjëra të tilla i ka bërë vetë.

“Thirrje opozitës, mos e pengoni ligjin.

Është një nga qëllimet mbipopullimi por nuk është qëllim në vetvete. Qëllim është të lejosh të shkojë në shtëpi një gruaje që ka vuajtur 2/3 e dënimit të shkojë në shtëpi, apo një të dënuari

Amnisti me emra të veçantë apo që shkon në allishverishe, ai që i mendon këto gjëra do të thotë që i ka bërë vetë këto gjëra. Akt mëshire do të thotë të jesh fisnik”, tha Manja.

Socialistët duan të votojnë këtë të enjte në Kuvend projektligjet për marrëveshjen Rama-Meloni për emigrantët dhe Amnistinë Penale.

Ligji për Amnistinë Penale kërkon 84 kartonë jeshilë nga ligjvënësit dhe mazhoranca duket se ka gjetur akordin me opozitën të t’a votuar.

3150 të dënuar do të përfitojnë nga kjo Amnisti në rast se ajo miratohet, po sipas Manjës kjo vlen për të gjitha kallëzimet e depozituara në Prokurori deri në datën 31 Janar 2024.

Ministri theksoi se është pranuar propozimi i deputetit Enkeled Alibeaj, që lidhet me të dënuarit për veprën penale “pjesëmarrje në tubime apo protesta”.

“Për personat që janë dënuar ose janë në ndjekje penale gjatë tubimeve apo protestave politike të organizuara nga 1 Tetori 2018 deri në 31 Gusht 2020. Ky propozim është pranuar, por jo duke përcaktuar limitin kohor. Kjo do të shtrihet deri në datën 31 Janar 2024, këtë kategori nuk mund ta lidhim me një periudhë kohore. Sigurisht është pranuar dhe për veprat që lidhen me tubimet dhe protestat, këtu kam parasysh veprat penale bazike që lidhen me organizimin e protestave. Pra veprat që janë kundër rendit dhe sigurisë publike, organizimi dhe pjesëmarrja në manifestime të paligjshme është pranuar i gjithi.  Neni tjetër “organizimi i tubimeve të paligjshme me pjesëmarrje të personave të armatosur kemi pranuar paragrafin e parë e të dytë, se janë vepra që dënohen deri në 3 vjet burg. Këto kanë qenë pjesë propozuese të deputetit Enkeled Alibeaj.”, tha ai.

Ministri gjithashtu se nuk janë pranuar të amnistohen veprat penale ”goditja për shkak të detyrës”.

“Nuk kemi pranuar veprën penale ”goditja për shkak të detyrës”, e kemi kriter ndalues, por për të gjitha kategoritë e subjekteve, jo vetëm për personat që kanë marrë pjesë në tubime apo protesta. Qoftë ata që janë në ndjekje penale, për shkak të rrezikshmërisë shoqërore që kanë këto vepra, por edhe duke u nisur nga parimet që ka kjo amnisti, ne nuk e kemi pranuar. Po ashtu shkatërrimi i pronës me zjarr, as këto nuk i kemi pranuar. Është akt mëshire, por duhet të jemi të kujdesshëm sepse interferon në sistemin e drejtësisë. Duhet mbrojtur sistemi publik, për këto kemi mbajtur linjën që kishim”, shtoi ministri.

Një tjetër amendament i pranuar është nga  deputeti demokrat Bledion Nallbati, që ka të bëjë me zbritjen e dënimit.

“Është pranuar dhe një amendament tjetër që është propozuar nga deputeti Bledion Nallbati, e kemi pranuar për të siguruar dhe barazi në trajtim, kjo ka të bëjë kryesisht me zbritjen me një vit të dënimit për burrat dhe një vit e gjysmë për gratë e vajzat.”, u shpreh Manja në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve.

Nga Amnistia Penale nuk marrin asnjë përfitim personat e dënuar me burg të përjetshëm dhe ata që po gjykohen nga GJKKO. Nuk përfitojnë plotësisht nga Amnistia personat e dënuar për “goditje ndaj efektivëve të policisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.