E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Korporata e Investimeve do të shesë pronat publike dhe do të financojë investimet strategjike
Lajme

Korporata e Investimeve do të shesë pronat publike dhe do të financojë investimet strategjike

E projektuar si një shoqëri, që do të mobilizonte kapital për realizimin e projekteve publike, objekti i Korporatës së Investimeve Shqiptare tashmë ka ndryshuar plotësisht. Këshilli Ministrave ka miratuar një vendim, i cili i jep të drejtën Korporatës që të shesë, japë me qira edhe madje t’i vendosë pronat publike edhe si garanci në banka për të marrë kredi.

“Pasuritë në pronësi ose përdorim të Korporatës, me qëllim përdorimin me eficiencë të pronës jepen me qira, enfiteozë, leasing, sipërmarrje, shitje, sigurimin e një kredie kolateral apo përmes formash të tjera përdorimi dhe zhvillimi të pronës, nëpërmjet konkurrimit publik,” thuhet në vendimin e qeverisë

Vlera më të cilën pronat do të shiten ose do të jepen me qira përcaktohet nga një Komision i Posaçëm brenda Korporatës.

Prona shtetërore në pronësi të Korporatës mund të shitet apo të përdoret si garanci, kolateral, peng apo hipotekë me vendim të Këshillit Mbikëqyrës, me propozim të drejtorit ekzekutiv dhe/ ose Bordit Këshillimor, në bazë të vlerësimit të kryer nga Komisioni,” thuhet në vendim.

Procedura dhe forma e shitjes së pronave do të përcaktohen me vendimin e Këshillit Mbikqyrës së Korporatës.

“Korporata në marrjen e vendimit në shitjen e pronës mbështetet, por pa u kufizuar në to, në këto parime:
a) Shitja e pasurisë shtetërore kryhet për qëllim dhe në bazë të zbatimit të objektivave të Korporatës, të objektivave dhe prioriteteve të qeverisë, si dhe në zbatim të legjislacionit në fuqi.
b)Procesi i shitjes së pronës shtetërore duhettë jetë transparent dhe i dokumentuar mirë për të parandaluar abuzimet në lidhje me përdorimin e pronës.
c)Vlerësimi i pronës kryhet bazuar në vlerën e tregut nga vlerësues ekspertë profesionistë.
ç)Shitja e pronës përbën alternativën më të mirë të mundshme për zhvillimin e saj dhe për mirëmenaxhimin e financave të Korporatës.
d)Blerësi i interesuar do ta përdorë pronën e blerë në përputhje me objektivat e projektit të investimit apo zhvillimit të qëndrueshëm, të miratuar në zonën ku ndodhet prona.

Para publike për investimet strategjike
Një tjetër pikë kontroverse e vendimit të qeverisë është ajo që lejon Korporatën e Investimeve të financojë projektet private të cilat kanë marrë statusin e investimit strategjik duke hyrë si partnere me privatin.

“Pjesëmarrja e Korporatës si bashkëzhvilluese apo bashkëfinancuese, vetë apo nëpërmjet krijimit të SPV-ve, në projektet e investimit në bashkëpunim me partnerë publikë apo privatë realizohet nëpërmjet procedurës përzgjedhëse mes partnerëve privatë, vendas apo të huaj, të dalë në funksion të realizimit të një projekti të ideuar/konceptuar/hartuar dhe propozuar nga partnerë privatë apo publikë, në rastin kur këto projekte kanë statusin e investimit strategjik,” autorizon vendimi./Kapitali

Dështimi i projektit “Korporata e Investimeve Shqiptare”

Në vitin 2019 , kryeministri Rama do të shpaloste për publikun projektin ogurzi të Korporatës së Investimeve Shqiptare.Një projekt, që sikundër opozita e cilësoi atëherë, ishte i kopsitur për të mundësuar grabitjen e çdo prone private apo publike në interes të të dyshuarve të përhershëm.

Kjo u faktua edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në një auditim të posaçëm.

Kaq i domosdoshëm ishte ky ligj për kryeministrin saqë qeveria ka lobuar fuqimisht në çdo instancë ndërkombëtare, përfshirë FMN-në, për ta kaluar me sa më pak ndryshime, ose vetëm me ndryshime estetike por jo thelbësore.

Fakti është se prej vitesh , qeveria shqiptare, e pamjaftuar me sa duket vetëm me të ardhurat nga koncesionet PPP, ka investuar çdo energji zyrtare dhe personale për themelimin e Korporatës Shqiptare të Investimeve.

Synimi ka qenë që Korporata të marrë në pronësi të gjitha pronat publike, qoftë ato në dispozicion të pushtetit qendror apo vendor. Përmes këtij ligji e gjithë kompetenca e zhvillimit të pushtetit vendor i transferohet korporatës për pasojë edhe financat publike që lidhen me to.

Ky është modeli që ka Rama edhe për ekonominë, ndaj  ligji për Koroporatën e Investimeve po  kalon  në heshtje, pasi Rama  ka treguar se, mbi të gjitha, projektet për një grusht njerëzish rreth tij janë më të rëndësishme se çdo gjë tjetër.

Lëvizjet e Ramës janë vetëm me modelin: Eksperimento-adaptohu-eksperimento – një projekt ky që ka vulosur përfundimisht edhe degradimin e çdo institucioni, pasi për të Facebok-u është qeveria e tij, dhe gjuha tallëse dhe fyese me qytetarët në internet janë filozofia e tij qeverisëse.

Opozita ka mundur deri më sot të bëjë të mundur që ky projekt të dështojë. Por interesat e Ramës më grupin e tij të interesave mund të mos ndalen edhe pas krizës që mund të mbërthejë ekonominë e plagosur shqiptare nga keqqeverisja e derisotme e ‘Rilindjes’.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.