Guvernatori Sejko frikë nga SPAK, kompania mashtruese Micro Credit Albania” ka në portofolin e saj rreth 19.000 klientë kredimarrës
Kalimi në SPAK i dosjes për vjedhjet me kreditë duket se ka shqetësuar jashtë mase Guvernatorin Gent Sejko. Pas konferencës për mediat dhe një deklarate shtypi, Banka e Shqipërisë ka reaguar sërish sot duke tentuar të lajë duart.
“Micro Credit Albania” është një nga ato kompani që shantazhon, kërcënon anatemon dhe “rrjep” qytetarët. Mirëpo Gent Sejko i pezulloi përkohësisht licencën, pa ja hequr fare dhe kjo ka bërë që SPAK të vihet në lëvizje. Pas daljes së lajmit, Gent Sejko tenton të lajë duart.
Në një reagim për “Monitor”, BSH ka pranuar se hajdutët e “Micro Credit Albania” kanë në portofolin e tyre rreth 19.000 klientë kredimarrës. Që nga momenti i licencimit, deri më sot (2016-2024), në Bankën e Shqipërisë janë depozituar dhe janë trajtuar rreth 85 ankesa ndaj këtij subjekti. Nga ana tjetër BSH vetëm justifikohet.
“Mandati i Bankës së Shqipërisë është të mbikëqyrë dhe të rregullojë pjesën e tregut financiar brenda tagrave që i njeh ligji, si dhe të adresojë fenomenet e padëshiruara me zgjidhje gjithëpërfshirëse në nivel sistemik, duke mbrojtur stabilitetin financiar. Veprimtaria e shërbimit përmbarimor, shtetëror apo private, nuk licencohet apo mbikëqyret nga Banka e Shqipërisë. Kuadri ligjor nuk i jep Bankës së Shqipërisë kompetencën të urdhërojë ndalimin/pezullimin e proceseve të ekzekutimit të detyrimeve. Kjo është një kompetencë që ligji ia njeh vetëm gjykatës. Për rrjedhojë, veprimtaria e shërbimit përmbarimor nuk është objekt kontrolli nga Banka e Shqipërisë, e cila nuk ka asnjë kompetencë për të ndërhyrë. Në këtë pikë theksojmë se, autoriteti ligjor i Bankës së Shqipërisë përfundon në momentin që gjykata lëshon urdhrin e ekzekutimit për të rikuperuar kredinë e pashlyer. Çdo proces përtej këtij momenti (ankandet, vendosja e sekuestrove apo çdo veprim tjetër procedural i ndërmarrë nga shoqëria përmbarimore) është jashtë kompetencave ligjore të Bankës së Shqipërisë dhe nuk mund të ndiqet apo rregullohet prej saj. Po ashtu, Banka e Shqipërisë nuk mund të ndërhyjë në marrëdhëniet që MCA ka me nënkontraktorët e saj, siç është rasti i shërbimit përmbarimor”, shprehet Banka e Shqipërisë.
Por nuk ndalet me kaq. Gent Sejko ja vë fajin edhe ligjit, duke u justifikuar se ai nuk ka çfarë bën me këtë kuadër ligjor. Për këtë arsye ka kërkuar të ndërhyhet në disa Kode.
“Banka e Shqipërisë në vazhdimësi shprehet se ka rekomanduar dhe vazhdon të sugjerojë disa aksione të cilat do të sillnin një përmirësim të qenësishëm të gjithë këtij procesi, por që kërkojnë përfshirjen edhe të palëve të tjera. Konkretisht, janë mëse të nevojshëm të bëhen ndryshime në: Kodin e Procedurës Civile dhe/ose hartimi i një ligji të posaçëm për rregullimin e të gjitha veprimeve me karakter procedural të përmbaruesve gjyqësor gjatë ekzekutimit të titujve ekzekutive; Përcaktimi me ligj i normës së penalitetit për detyrimet në vonesë; Inicimi i diskutimi për vendosjen me ligj i një tavani për normat të interesit”, ka deklaruar BSH.
Përmes një vendimi të 17 prillit, Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencën dhe i kërkoi Prokurorisë së Posaçme, SPAK, që të kryente hetime të mëtejshme ndaj guvernatorit të Bankës së Shqipërisë për veprën e “shpërdorimit të detyrës” dhe shoqërisë MCA veprat e mashtrimit, fshehjes së të ardhurave dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



