E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Policia mohon lajmet se u  dekonspirua operacioni i SPAK : 13 persona ikën jashtë vendit, 11 të tjerë nuk i gjetëm dot
Lajme

Policia mohon lajmet se u dekonspirua operacioni i SPAK : 13 persona ikën jashtë vendit, 11 të tjerë nuk i gjetëm dot

Para nisjes së operacionit 13 emra kishin ikur jashtë, ndërsa 11 të tjerë rezultojnë brenda territorit, por nuk u arritën të ndaloheshin.

Policia ka mohuar që të jetë dekonspiruar nga ana e saj operacioni i SPAK për goditjen e bosëve të krimit.

Nga 50 urdhër-arreste, përfunduan në pranga shumë pak personazhe të botës së krimit dhe ka pasur aludime se dikush i informoi krerët e bandave që të largohen. Madje dje në media u tha se Forcat Operacionale u përjashtuan nga operacioni sepse SPAK nuk kishte besim te ta.

Por policia ka bërë një bilanc, ku tregon numrin e policëve të angazhuar, teksa bën me dije se para nisjes së operacionit 13 emra kishin ikur jashtë, ndërsa 11 të tjerë rezultojnë brenda territorit, por nuk u arritën të ndaloheshin.

“Gjatë verifikimeve në sistemin TIMS, rezultoi se 13 shtetas ndodheshin jashtë shtetit dhe ishin larguar para zhvillimit të operacionit, si dhe 6 shtetas  që ishin të shpallur në kërkim para operacionit, sipas vendimit të gjykatës, për vepra të tjera penale të kryera më parë. Ndërsa 11 shtetas, mes tyre dhe 2 dy punonjës policie, të cilët iu shmangën organeve të drejtësisë, nuk u bë e mundur që të kapeshin gjatë operacionit. Theksojmë faktin se asnjë strukturë e Policisë së Shtetit në nivel qendror apo vendor nuk është përjashtuar nga pjesëmarrja në operacionin “Revanshi” dhe deri tani nuk ka asnjë indicie për dekonspirim të operacionit. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bashkëpunim shumë të mirë, të bazuar në ligj dhe në besueshmëri të plotë me SPAK-un, me GJKKO-në dhe me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm“, njofton policia.

Reagim i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit

Në lidhje me një lajm të publikuar në disa portale, se Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale është përjashtuar nga pjesëmarrja në operacionin e koduar “Revanshi”, për ekzekutimin e 50 masave të sigurisë të caktuara nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sqarojmë se:    

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në kuadër të këtij operacioni, hartoi planin operacional për ekzekutimin e masave të sigurisë.

Për zbatimin e këtij plani operacional u angazhuan 50 oficerë të Policisë Gjyqësore, Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, personeli policor i Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, të gjithë efektivët e Forcës Kombëtare të Sigurisë, 80 % e efektivëve të RENEA-s, 100 punonjës të DVP Tiranë, 50 punonjës të DVP Durrës, 50 punonjës të DVP Lezhë, 50 punonjës të DVP Vlorë dhe 20 punonjës të DVP Shkodër.          

-Gjatë operacionit, u kapën nga shërbimet e Policisë që morën pjesë në operacion dhe u arrestuan, 8 shtetas. 

-6 shtetas, të cilët u shpallën në kërkim në kuadër të operacionit, u kapën dhe u arrestuan jashtë shtetit, gjatë zhvillimit të operacionit, në bashkëpunim me partnerët italianë, spanjollë, belgë dhe gjermanë. 

-Për 6 shtetas të tjerë u ekzekutuan vendimet e Gjykatës dhe ata u njohën me akuzat, në IEVP-të përkatëse.     

-Gjatë verifikimeve në sistemin TIMS, rezultoi se 13 shtetas ndodheshin jashtë shtetit dhe ishin larguar para zhvillimit të operacionit, si dhe 6 shtetas  që ishin të shpallur në kërkim para operacionit, sipas vendimit të gjykatës, për vepra të tjera penale të kryera më parë.         

-Ndërsa 11 shtetas, mes tyre dhe 2 dy punonjës policie, të cilët iu shmangën organeve të drejtësisë, nuk u bë e mundur që të kapeshin gjatë operacionit.       

Theksojmë faktin se asnjë strukturë e Policisë së Shtetit në nivel qendror apo vendor nuk është përjashtuar nga pjesëmarrja në operacionin “Revanshi” dhe deri tani nuk ka asnjë indicie për dekonspirim të operacionit.   

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bashkëpunim shumë të mirë, të bazuar në ligj dhe në besueshmëri të plotë me SPAK-un, me GJKKO-në dhe me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm. 

Bazuar në rezultatet e punës, të arritura gjatë vitit 2023 dhe gjatë 5-mujorit të parë të vitit 2024, rezultate të cilat janë të pakrahasueshme me periudha të mëparshme, tregojnë qartë angazhimin maksimal dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit, në luftën ndaj krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi.    

Gjithashtu, Policia e Shtetit është e vendosur për ta thelluar më tej procesin e vetëpastrimit, duke bashkëpunuar ngushtësisht me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, me qytetarët dhe me mediat.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.