Ermal Beqiri dhe Beqaj bëhen bashkë, i marrin 850 MLN AKSHI-it
Përtej zhurmës në media nga njëra apo tjera palë e politikës, fakt është se kur vlen puna te paratë të gjithë janë “miq e shokë”. Rezulton se kompania FASTECH e akuzuar në media nga eksponentë të politikës se është e lidhur me Ilir Beqaj, ka marrë një tjetër tender të majmë nga AKSHI në një periudhë kohe shumë të shkurtër.

Kësaj radhe kjo kompani është bërë bashkë me kompaninë SOFT & SOLUTION të Ermal Beqirit, ekspertit informatik që nxori të pafajshëm Ilir metën. Përtej kësaj, Beqiri rezulton si një ndër përfituesit më të mëdhenj të tenderave publikë në fushën e teknologjisë së informacionit.

Duket se tashmë Beqiri është bërë bashkë me Beqaj dhe të dy kanë përfituar gati 850 milionë lekë t vjetra nga paatë publike të shqiptarëve. Bëhet fjalë për një tender me objekt “Mirëmbajtja e website-ve të Kryeministrisë, Ministrive dhe Përfaqësive Diplomatike”, me fond limit 77,999,197 lekë të reja pa TVSH ose rreth 935 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Tenderi ngjall dyshime të forta se është i manipuluar pasi vihet re se kanë marrë pjesë vetëm dy garues. Bashkimi i kompanive të Beqajt & Beqirit si dhe një kompani tjetër që nuk ka paraqitur vlerë oferte. Si rrjedhojë fitues janë shpallur të vetmit që ofruan një vlerë, pra Beqaj me Beqirin nëpërmjet bashkimit të kompanive të tyre FASTECH dhe SOFT & SOLUTION.
Vlera e ofruar prej tyre është 71,333,280 lekë të reja pa TVSH ose gati 850 milionë lekë të vjetra me TVSH. Kjo vlerë është sa 91.45% e fondit limit, duke rritur përsëri dyshimet se kemi të bëjmë me një tender farsë.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



