Mediat e huaja shkruajnë për protestën e PD : Tubim për lirimin e Berishës, ish-kryeministri rrezikon 12 vite burg
Mijëra mbështetës të opozitës në Shqipëri organizuan një protestë në kryeqytet, Tiranë, të enjten, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Demonstruesit akuzuan Ramën, i cili është në pushtet që nga viti 2013, për korrupsion.
Protestuesit sulmuan një godinë qeveritare dhe zyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, i cili vjen nga radhët e Partisë Socialiste.
Demonstruesit kërkuan gjithashtu lirimin e kreut të opozitës Sali Berisha, i cili është në arrest shtëpiak, i akuzuar për korrupsion që nga viti i kaluar, një veprim që shumë thonë se është i motivuar politikisht.
Ish-kryeministri, i cili drejton Partinë Demokratike në opozitë, kishte bërë thirrje për protesta nga arresti shtëpiak.
Berisha mbajti një deklaratë me një video të regjistruar, duke thënë se “Shqipëria është i vetmi vend në Evropë me liderin e saj të opozitës nën arrest politik pa asnjë fakt, provë apo dokument. Edi Rama do një Shqipëri pa shqiptarë, pa opozitë dhe pa drejtësi”.
Në tetor të vitit 2023, prokurorët akuzuan Berishën se ka abuzuar me postin e tij për të ndihmuar dhëndrin e tij, Jamarber Malltezi, të privatizojë tokën publike për të ndërtuar 17 pallate. Prokurorët ende nuk i kanë çuar akuzat formale në gjykatë dhe Berisha është ende teknikisht nën hetim.
Berisha, 79 vjeç dhe Malltezi, 52 vjeç, të dy janë deklaruar të pafajshëm, duke pretenduar se rasti është një veprim politik nga Partia Socialiste në pushtet e kryeministrit Edi Rama.
Prokurorët kanë thënë se nëse Berisha shpallet fajtor, ai përballet me burgim deri në 12 vjet. / “Euronews.com”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



