Apeli i Posaçëm lë në fuqi vendimin për konfiskimin e pasurive të ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë
Të hënën, Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi vendimin për konfiskimin e pasurive të ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Guxim Zenelajt, i cili akuzohet për deklarim të rremë pasurie.
Më 5 korrik, Prokuroria e Posaçme dha pretencën për ish-gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Guxim Zenelaj, duke kërkuar 1 vit burg.
SPAK-u kërkon që ish-gjyqtari të mos dërgohet në qeli, por të vendoset në shërbim prove për një periudhë 24-mujore.
SPAK-u kërkon që Zenelaj të shpallet fajtor për akuzën “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private dhe personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.
Në dhjetor të 2022-shit, SPAK-u i konfiskoi 7 prona ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Guxim Zenelaj.
Zenelajt iu sekuestruan 1000 metra tokë në Porto Palermo dhe 2 garazhe në Ishull-Shëngjin. Po ashtu atij i është sekuestruar 1 dyqan dhe 3 apartamente në Ishull-Shëngjin.
Kujtojmë se Zenelaj u tërhoq nga sistemi i drejtësisë sapo i përfundoi mandati në vitin 2017 para se të kalonte në filtrin e vetingut.
Në vitin 2016 ai deklaroi në deklaratën e pasurisë 18 apartamente dhe tri njësi ndërtimore në Ishull Shëngjin, Lezhë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



