Hije të forta dyshimi mbi organin e akuzës në kryeqytet. Pse nuk u arrestua Eriona Daupaj?

Kush ka frikë nga deponimi i saj?

Lajmi se SPAK nxorri 4 urdhër-arreste tre ditë më parë, ku njëri ishte për kreun e Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, u sfumua disi nga intervista e dytë e Arben Ahmetaj.

Por lajmi mbetet akoma i freskët, sepse prokurori Zarka u arrestua dhe ndodhet në qeli, ndërsa tre urdhër-arrestet, që prokurori Klodian Braho (SPAK) lëshoi për magjistraten Eriona Daupaj, avokatin Radovan Çela dhe biznesmenin A. V. nuk u ekzekutuan.

Burime nga njësia operacionale në Policinë e Shtetit thanë se të tre emrat e tjerë nuk u gjetën, duke ngritur dyshime për dekonspirim të operacionit nga vetë prokuroria.

Një prej të kërkuarve, ish-hetuesja e Prokurorisë së Tiranës deri në fund të vitit 2023, Eriona Daupaj, kishte një javë që ishte “zhdukur” pa lënë gjurmë.

SPAK theksoi në njoftim se për këtë procedim penal veprimet hetimore ishin kryer për një periudhë disa mujore, në bashkëpunim me agjencitë e huaja të zbatimit të ligjit dhe marrjen e provave prej tyre.

Burimet tregojnë se prokurorët dhe hetuesit belg, sollën të zbërthyer për SPAK, dhjetëra komunikime të aplikacionit Sky ECC, ku përfshiheshin emra të botës së krimit dhe të sistemit të drejtësisë.

Mes tyre gjenden një numër i madh prokurorësh, gjyqtarësh e hetuesish si në rastin e arrestimeve, ku janë prokurori Aurel Zarka dhe hetuesja Eriona Daupaj.

Dyshohet se të dy mbanin disa telefona që kanë “xhevahirë” brenda, ndërsa prokurorit Zarka iu kapën në befasi kur e arrestuan, Daupaj “shpëtoi”.

Kush është Eriona Daupaj?

Me telefon që mbante aplikacionin Sky ECC, Eriona Daupaj më 21 Nëntor 2023, KLGJ e emëroi të fillojë Shkollën e Magjistraturës në profilin gjyqtar pasi kishte fituar konkursin për vitin 2023-2024 dhe kaloi me sukses edhe ‘vettingun’.

CV-ja e saj tregon një rritje graduale dhe të padukshme në shkallët e sistemit të drejtësisë:
• Nëntor 2001 – Shkurt 2005: Sekretare Gjyqësore, Gjykata e Apelit Tiranë
• Shkurt 2005 – Tetor 2007: Sekretare e Prokurorit të Përgjithshëm (Theodhori Sollaku)
• Qershor 2014 – Qershor 2015: Oficere e Policisë Gjyqësore në Zyrën e Përgjimeve, Prokuroria e Përgjithshme
• Qershor 2015 – Dhjetor 2019: Oficere e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda
• Dhjetor 2019 – Nëntor 2023: Oficere e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë Tiranë
• Dhjetor 2023 – vijim: Magjistrate (gjyqtare), Shkolla e Magjistraturës

Në vitin 2026, Daupaj do të fillonte të gjykonte në një nga gjykatat e vendit, me shumë mundësi në Tiranë, falë lidhjeve të saj “Sky ECC”.

Autoritetet e drejtësisë belge dhe franceze, komunikimet “shqiptare” në aplikacionin Sky ECC e zbërthyen dhe e zbardhën plotësisht dhe pasi e hetuan kuptuan se kishin “zbërthyer” edhe sistemin e korruptuar të drejtësisë, në veçanti organin e akuzës.

Ndër dhjetra emra të korruptuar në rrjetën belge ngecën prokurori Zarka bashkë me hetuesen Daupaj. Ndërsa Aurela Zarka është I arestuar dhe i janë kapur disa telefona ku brenda thuhet se ka “xhevahirë’ që implikojnë bisnesmenë e qeveritarë, “Nikita” Daupaj u largua në kohë. Dikush e lajmëroi “Ik”.

Eriona Daupaj, nga kolegët e saj hetues, njihej si “e preferuara” e prokurorëve në Prokurorinë për Krimet e Rënda dhe Prokurorinë e Tiranës. “Çështjet më të rëndësishme i jepeshin për “hetim” asaj… ajo kishte numrin më të madh të çështjeve krahasuar me 20 OPGJ që ishim te krimet e rënda”, tregon një hetues i SPAK, që e njeh Daupajn që kur e kishte kolege në vitet 2015-2019 te Krimet e Rënda.

Ndërkohë, hetimi i belgëve që ia përcolli SPAK e ka nxjerrë ish hetuesen Daupaj të përfshirë në dhjetëra “ndërhyrje të paligjshme”, ku ajo bashkë me “bandën” e saj del e implikuar nga zbardhja e dhjetëra komunikimeve të kryera me “Sky ECC”.

A janë implikuar prokurorë të tjerë?

Në dhjetor 2019, Prokuroria për Krimet e Rënda “u shkri” për t’i hapur rrugën krijimit të Prokurorisë së Posaçme, me akronimin SPAK. Prokuroria për Krime të Rënda, nga opozita cilësohej si e suksesshme, ndërsa nga mazhoranca si dështim. Nga kjo prokurori lindi SPAK. Në vitet e “arta” Prokuroria për Krime të Rënda kishte 24 prokurorë dhe 20 hetues (Oficerë të Policisë Gjyqësore).

Sipas statistikave zyrtare, nga 24 prokurorët e kësaj strukture, afërsisht gjysmën i largoi vetingu: Artan Bajrami, Blerim Tominaj, Besim Hajdarmataj, Eugen Beçi, Përparim Kulluri, Donika Prela, Anton Martini, Gentian Osmani, Besnik Muçi, Njazi Seferi…

SPAK mbajti vetëm disa (6): Doloreza Musabelliu, Behar Dibra, Manjola Kajana, Ened Nakuçi, Edvin Kondili, Klodian Braho.

Olsian Çela, Pranvera Pustina, Isa Jata (3) janë në Prokurorinë e Përgjithshme.

Katër janë në Prokurorinë e Tiranës.

Të gjithë hetuesit (20) që shoqëronin punën e prokurorëve të Krimeve të Rënda për çdo dosje të hetuar, vazhduan karrierën pa u cenuar, sa në BKH, sa në Prokurorinë e Tiranës, si është edhe rasti i “Nikitës” Eriona Daupaj.

Nëse “Nikita” ishte një nga të preferuarat e prokurorëve dhe lidhej me “Sky ECC” me banditët, a implikon ajo raste të tjera të prokurorëve të shkarkuar apo të “lavdëruar” nga vettingu?

Sipas juristëve penalistë, çdo dosje e hetuar ka një dakordësi të heshtur në mes prokurorit dhe hetuesit të deleguar për të grumbulluar prova dhe zhvilluar hetimet.

Nëse “Nikita” Daupaj ka ndërhyrë në çështje të tjera që nuk ishin të sajat, mund të imagjinohet se si ka vepruar me të vetat.

Kjo do të sillte një implikim për shumë prokurorë të shkarkuar dhe ata në detyrë, në rastet kur Eriona Daupaj ka qenë hetuese me “Sky ECC” në xhep.

Hije të forta dyshimi bien mbi organin e akuzës në kryeqytet, ku Eriona Daupaj ka punuar si e privilegjuar, ashtu si në ish-Prokurorinë për Krimet e Rënda.

Përveç “hetueses” ka bërë edhe sekseren për bandat, dhe nëse vërtetohet, do të jetë shumë e rëndë për gjithë sistemin e drejtësisë, sidomos për prokurorinë

Ku është sot Eriona Daupaj?

Pse është zhdukur pa lënë gjurmë?

Kush ka frikë nga deponimet e saj?

A do bëhet Daupaj një Duman po të pendohet?

Këto pyetje kanë mbërthyer me ankth disa prokurorë, gjyqtarë apo pushtetarë që njihnin “Nikitën” ose kanë përdorur linjën e saj “Sky ECC”.

Publikuar nga Publik Media