Himarë/ Voton kandidati i PS-së, Vangjel Tavo

Kandidati i Partisë Socialiste, Vangjel Tavo ka votuar në orën 10:30 të mëngjesit të së dielës në një qendrat e votimit në Himarë.

Pas votimit ai është pyetur nga gazetarët për qytetarët që nuk mund të votojnë në Himarë-Fshat, pasi kanë të skaduara kartat e identitetit.

Në lidhje me këtë Tavo është shprehur se ky nuk është një problem i tij, por është çështje ligjore.

“Nuk është çështja ime, është çështja e ligjit. Mbi ligjin nuk mund të dalë asnjeri”, u shpreh ai. 

Gjatë prononcimit ai ftoi qytetarët të votojnë projektin dhe alternativën më të mirë për Himarën dhe himariotët.

Procesi i votimit në Himarë ka nisur që prej orës 07:00 të mëngjesit të sotëm dhe pritet të mbarojë në orën 19:00.

Në qendrat e votimit, materialet zgjedhore kanë mbërritur 2 ditë më parë, ndërsa KQZ ka bërë shpërndarjen e tyre orët e para të mëngjesit të së shtunës.

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi tha se deri më tani nuk ka probleme dhe procesi po vijon normalisht.

Në Himarë aplikohet vetëm identifikimi elektronik dhe qendrat e votimit do të jenë të monitoruara me kamera ashtu si në çdo zgjedhje.

Publikuar nga Publik Media