E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ku janë të punësuar familjarët e ministrave dhe deputetëve?
Lajme

Ku janë të punësuar familjarët e ministrave dhe deputetëve?

Kryeministri, në ambasada, drejtori, bashki e ministri

Në  Shqipëri transparenca dhe meritokracia janë vetëm fjalë të mëdha, realiteti në administratën publike shqiptare tregon një fytyrë të ndryshme. Nën pretekstin e reformave dhe premtimeve për një “frymë të re” në administratë, nepotizmi dhe klientelizmi vazhdojnë të dominojnë çdo cep të institucioneve shtetërore.

Kryeministri Edi Rama, gjatë Kongresit të 28 korrikut, nuk hezitoi të kritikonte ashpër bashkëpunëtorët e tij, duke i hequr të drejtën drejtorëve që të jenë pjesë e delegatëve. Një vendim që në dukje synonte të distanconte administratën nga korrupsioni dhe favorizimet e brendshme. Megjithatë, një analizë e thelluar e të dhënave zbulon se “fryma e re” për të cilën flet Rama nuk është gjë tjetër veçse një perde e hollë që mbulon lidhjet familjare dhe interesat personale të politikanëve.

Në deklaratat e pasurisë së vitit 2022, të depozituara në ILDKP, shfaqen qartë 23 raste ku familjarët e ministrave dhe deputetëve janë sistemuar në pozicione kyçe brenda administratës. Kjo listë nuk është as e plotë dhe as e pazakontë. Mjafton të krahasojmë me vitet e kaluara dhe vërejmë se praktikat e sistemimit të familjarëve janë bërë një normë e pranuar.

Ndërsa opinioni publik është përballur me premtime për ndryshim, në prapaskenë, administrata vazhdon të mbetet një vend i sigurt për familjarët e politikanëve. Gratë, bashkëshortët, fëmijët dhe të afërmit e tyre gëzojnë privilegje të pakontestueshme. Ata përfitojnë nga një sistem që synon të mbajë të forta rrjetet e tyre të influencës, duke u siguruar poste të rëndësishme dhe të ardhura të majme.

Ajo që shqetëson më shumë është fakti se shumë prej këtyre individëve, të cilët shërbejnë në pozicione të rëndësishme në administratë, janë emëruar pa kaluar proceset standarde të konkurrimit. Në vend që të ketë një sistem të hapur dhe të drejtë për të gjithë qytetarët, ky sistem i mbyllur dhe nepotist përjashton të rinjtë dhe profesionistët e kualifikuar që nuk kanë lidhje me elitën politike.

Nepotizmi nuk ndalet vetëm në kufijtë e Shqipërisë. Ka raste ku të afërmit e politikanëve kanë arritur të depërtojnë edhe në institucione ndërkombëtare, si NATO apo OKB, duke shfrytëzuar lidhjet dhe influencat e familjeve të tyre.

Kur sheh këtë panoramë, pyetja që shtrohet është: a ka vullnet politik për të luftuar vërtet nepotizmin? A janë reformat e premtuara thjesht një fasadë për të justifikuar qëndrimin e të njëjtëve njerëz në pushtet?

Në vend të një administrate të re dhe të freskët, ajo që vërehet është një përforcim i strukturave të vjetra të pushtetit, të cilat vazhdojnë të mbrojnë interesat e tyre familjare dhe personale në dëm të publikut.

Ky realitet bën që shumë të rinj dhe profesionistë të ndihen të përjashtuar dhe të humbasin besimin në sistem. Në vend që të sjellë përparim dhe meritokraci, kjo situatë përjetëson një cikël të pandryshuar ku emërimet politike bazohen në lidhjet familjare dhe jo në aftësitë dhe përkushtimin profesional.

Më poshtë janë rënditur të punësuar familjarët e politikanëve:

1.       Albana Koçiu, bashkëshorti te Drejtoria e Përgjithshme e Doganave;

2.       Arbjan Mazniku, bashkëshortja e punësuar te Këshilli i Ministrave

3.       Ogerta Manastirliu, bashkëshorti tek Ambasada e Çekisë

4.       Antoneta Dhima, bashkëshorti i punësuar tek Albpetrol, djali te Banka e Shqipërisë

5.       Bardhyl Kollçaku, bashkëshortja te Ministria e Mbrojtjes, djali në NATO

6.       Bujar Çela, bashkëshortja e punësuar te Bashkia e Lushnjes

7.       Denis Deliu, bashkëshortja tek Institucioni i Komisionerëve Publikë

8.       Eduart Ndreca, bashkëshortja te Zyra Arsimore Lezhë

9.       Evis Kushi, bashkëshorti tek OST

10.   Fadil Nasufi, vajza te Fondi Shqiptar i Zhvillimit

11.   Fatmir Mediu, bashkëshortja te Ministria e Transportit

12.   Ferdinad Xhaferraj, vajza te Koorporata e Investimeve Shqiptare

13.   Florenc Spaho, bashkëshortja te Bashkia Elbasan

14.   Gertjan Deda, bashkëshortja tek Agjencia e Kadastrës

15.   Gerta Bardeli, bashkëshorti në Bashkinë e Shkodrës

16.   Ilir Ndraxhi, vajza te Hekurudha Shqiptare

17.   Ilir Topi, bashkëshortja te Zyra Arsimore Tiranë

18.   Milva Ekonomi, vajza tek United Nations Development Programme (OKB)

19.   Nasip Naço, vajza tek Agjencia e Sigurimit të Depozitave

20.   Qani Xhafa, vajza te Ministria e Turizmit

21.   Samir Hasalla, bashkëshortja tek ISSH Elbasan

22.   Shpëtim Idrizi, bashkëshortja te Banka e Shqipërisë

23.   Etilda Gjonaj, bashkëshorti te Drejtoria e Tatimeve

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.