E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Hapen të gjitha pikat kufitare në Kosovë! Sveçla: Ekstremistët e maskuar u larguan! Osmani: Serbia kërkon tensione me bandat kriminale
Lajme

Hapen të gjitha pikat kufitare në Kosovë! Sveçla: Ekstremistët e maskuar u larguan! Osmani: Serbia kërkon tensione me bandat kriminale

Janë hapur për qarkullim pikat kufitare në Kosovë, Merdarë, Bërnjak dhe Jarinjë, pas bllokadës së serbëve. Lajmi u konfirmua nga ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili në një postim në Facebook shkruan se ekstremistët e maskuar janë larguar. “Pas pranimit të njoftimeve se tashmë janë larguar bllokadat e krijuara nga ekstremistë të maskuar që kanë qenë të vendosura dje në territorin e Serbisë dhe duke parë se nuk ka ndonjë pengesë për qarkullim nga dhe drejt pikave kufitare të Republikës së Kosovës, morëm vendimin për hapjen për qarkullim të pikave kufitare Merdarë dhe Bërnjak”, shkroi Sveçla.

Bllokada në kufi me Kosovën

Që nga ora 18:00 e së premtes, protestuesit serbë bllokuan të premten në mbrëmje rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Kosovën, duke kërkuar tërheqjen e forcave të policisë së Kosovës nga veriu dhe kthimin e institucioneve serbe të mbyllura nga autoritetet e Prishtinës. Protestuesit vendosën makina në mes të rrugës afër vendkalimit në Merdarë, duke detyruar udhëtarët që po shkonin drejt Kosovës të kthehen pas.

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla tha se grupe ekstremistësh të maskuar në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe kontrolluar udhëtarët.

”Para pak çastesh, një familjeje e cila po udhëtonte për në Gjermani, i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë. Kjo po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, fakt ky që e bën atë bashkë fajtore”, shkroi ai në rrjetet sociale duke theksuar se këto veprime janë të papranueshme.

Mëngjesin e sotëm u lirua pika e kalimit kufitar në Jarinjë dhe automjetet po qarkullojnë normalisht. Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se në Jarinjë nuk ka më pengesa në qarkullimin e të gjitha automjeteve në të dyja anët e kufirit.

“Në mëngjesin e sotëm në pikën kufitare në Jarinjë, është duke u zhvilluar pa problem qarkullimi i automjeteve në të dyja anët e kufirit edhe të automjeteve me targa serbe dhe atyre me targa të Kosovës”, tha Elshani.

Ndërkohë, dy pikëkalime të tjera, Bërnjak dhe Merdare, u liruan pasditen e sotme. Kryetari i Shoqatës Koreni në Serbi, Dragisha Miriçi tha se shoqata e tij do të presë deri më 1 tetor për plotësimin e kërkesave të tyre nga autoritetet kosovare dhe paralajmëroi bllokadë të re kufitare, nëse kërkesat e serbëve nuk plotësohen.

Osmani: Serbia kërkon tensione

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka akuzuar Serbinë të shtunën se po përpiqet të krijojë tensione dhe përshkallëzim në Kosovë dhe në rajon “përmes bandave kriminale të lidhura me shtetin”, pas bllokadave të vendosura në pjesën serbe të pikëkalimeve kufitare mes dy vendeve.

“Bllokadat kanë vetëm një qëllim, të krijojnë tensione, të destabilizojnë Kosovën dhe gjithë rajonin tonë. Por, në të njëjtën kohë e tregojnë lidhshmërinë e drejtpërdrejt ndërmjet shtetit serb dhe bandave kriminale që i kanë organizuar këto bllokada, sepse siç e dini policia serbe ka qenë atje dhe këto kanë ndodhur para syve të tyre”, tha Osmani.

Osmani kërkoi nga aleatët e Kosovës “të dalin me qëndrim publik lidhur me këto shkelje të vazhdueshme nga ana e Serbisë, të cilat po shkelin të drejtat e qytetarëve tanë dhe kanë tendencë ta destabilizojnë paqen dhe sigurinë jo vetëm në Kosovë por në tërë rajonin tonë”.

Bllokimi pasoi operacionin e 30 gushtit të autoriteteve të Kosovës për mbylljen e komunave paralele serbe në veri, në një veprim që nxiti kritika nga diplomacia perëndimore. Autoritetet në Kosovë thanë se komunat paralele serbe në veri, “kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Vendimet e Qeverisë së Kurtit janë kritikuar ashpër si të “njëanshme dhe të pakoordinuara” nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka thënë se ato rrezikojnë rritjen e tensioneve. Organizatorët e bllokadave duan që Kosova ta tërheqë policinë nga komunat me shumicë serbë në veri, ta lejojë përdorimin e valutës së dinarit serb, i cili u ndalua në fillim të këtij viti, si dhe ta lejojë punën e komunave paralele serbe.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.