Mashtrimi i kredive të shpejta në TV Kombëtare!

Televizionet kombëtare po luajnë një rol shqetësues në përhapjen e mashtrimeve të kamufluara si “kredi falas”. Nuk është çudi që dëgjojmë gjithnjë e më shumë njoftime tregtare që premtojnë para brenda 15 minutave, duke shfrytëzuar nevojën e qytetarëve për financa të shpejta. Një ndër më të spikaturit është ai i Kredo.al, që e kam dëgjuar së fundmi në radio dhe televizione, veçanërisht në fillim të vitit shkollor. Çdo prind dëgjon mesazhin tundues: Merr paratë për 15 minuta dhe kredia e parë është FALAS!
Le të ndalemi një çast dhe të reflektojmë mbi këtë premtim absurd. Si është e mundur që dikush të japë para borxh për 15 minuta?
Si është e mundur që dikush të japë para borxh për 15 minuta?
A ka logjikë ekonomike në këtë? Sigurisht që jo!
Kredia “falas” dhe premtimi i marrjes së parave brenda 15 minutave është një kurth i qartë. Për ata që mbase nuk kanë përvojë me këto lloj kredish, ky mesazh tingëllon si zgjidhje magjike për problemet financiare.
Por e vërteta është se nuk ka para falas. Nëse dikush ju jep para për 15 minuta, po ju mashtron dhe është i përgatitur t’ju zhvatë deri në lekurën e fundit!
Këto njoftime janë keqinformim i pastër dhe manipulim, dhe çfarë është më e keqja, targetojnë shtresat më të dobëta të shoqërisë, ata që janë në nevojë dhe në panik për paratë. E gjitha është e ndërtuar për t’i joshur njerëzit që nuk kanë tjetër zgjidhje.
Dhe pikërisht ata, më të pambrojturit, janë ata që përfundojnë më të zhgënjyerit, me interesa të papërballueshme dhe kredi që bëhen peshë e rëndë.
Kredia e parë falas është një lojë fjalësh që në fund të fundit do të thotë vetëm një gjë: ju do paguani shumë më tepër më vonë. Një kredi nuk është kurrë falas; ekzistojnë tarifa të fshehura, interesa të larta, dhe kosto të tjera që qytetarët nuk i kuptojnë deri sa të jetë shumë vonë.
Banka e Shqipërisë ka deklaruar që po harton një paketë ligjore për të mbrojtur qytetarët nga këto njoftime tregtare të rrezikshme, por duhet të veprojë sa më shpejt. Sepse këta mashtrues nuk do ndalen derisa të arrijnë të zhvatin çdo qindarkë të mundshme nga ata që bien pre e këtij keqinformimi.
Lutja ime për qytetarët është kjo: Mos shkoni aty! Mos bëni të njëjtin gabim! Nëse dikush ju ofron para “falas” dhe brenda 15 minutave, dijeni se diçka nuk është në rregull.
Mos e humbni vëmendjen, sepse në fund do të rripeni dhe borxhet do të jenë shumë më të mëdha se sa mendoni.
Zgjohuni! Shihni të vërtetën prapa reklamave të ndritura dhe premtimeve bosh.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



