E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Jorida Tabaku  denoncon  Spiropalin: Po shkel Kushtetutën për të zgjatur mandatin e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese deri në 2028-ën
Lajme

Jorida Tabaku denoncon Spiropalin: Po shkel Kushtetutën për të zgjatur mandatin e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese deri në 2028-ën

Elisa Spiropali, pas dorëheqjes së gjyqtares Elsa Toska nga Gjykata Kushtetuese, në mënyrë antikushtetuese kërkon të zgjasë mandatin e të emëruarit të ri deri në vitin 2028.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka denoncuar Spiropali duke e quajtur tentativë për t’u fshehur pas tymnajës.

Reagimi i plotë

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë ka ndërmarrë një nismë antikushtetuese për të zgjatur mandatin e gjyqtares së dorëhequr, Elsa Toska. Për të kuptuar më mirë këtë veprim, është e rëndësishme të rikujtojmë dy elemente kyçe. Në vitin 2016, Parlamenti miratoi ndryshimet kushtetuese të Reformës në Drejtësi dhe futi në Kushtetutë disa dispozita kalimtare për mandatet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Në këto dispozita gjendet edhe neni 179, pika 3, i cili saktëson se gjyqtarëve të emëruar pas vitit 2017 u përfundon mandati në vitin 2025, ndërsa atyre të emëruar pas vitit 2020 u përfundon mandati në vitin 2028.

Tre vjet pas këtyre ndryshimeve kushtetuese, Parlamenti, nën drejtimin e shumicës socialiste, u përfshi në një ngërç tjetër. Për të shmangur këtë situatë, opozita kërkoi këshillim nga Komisioni i Venecias. Në mendimin e tij miqësor të vitit 2020, Komisioni Venecias sqaroi se neni 179 i Kushtetutës kishte për qëllim që 9 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të ndaheshin në tre grupe, me nga tre gjyqtarë secili, për të garantuar zëvendësimin gradual të tyre. Ky rregull për të ruajtur përpjesëtimin u përfshi edhe në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese.

Arsyeja, sipas Komisionit të Venecias, lidhej me ruajtjen e balancës dhe evitimin e bllokimit të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese. Skema e ndarjes së mandateve në distanca kohore prej tre vitesh mbështet këtë parim kushtetues të funksionimit të GJK.

Komisioni i Venecias e përcaktoi qartësisht jo vetëm mënyrën e emërimit të gjyqtarëve, por edhe skemën e përfundimit të mandateve, ku për znj. Toska, mandati përfundon në vitin 2025.

Lindin disa pyetje: Përse Kryetarja e Kuvendit e interpreton me syze të tjera një dispozitë që është e qartë, si në mendimin e Komisionit të Venecias, ashtu edhe në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese, neni 86, pika 3? A është kjo një përpjekje për të manipuluar Kushtetutën dhe për të zgjatur mandatin e ndonjë gjyqtareje tjetër? Apo ka për qëllim Kryetarja e Kuvendit të mbanë të kapur Gjykatën Kushtetuese me vendime arbitrare, duke minuar Reformën në Drejtësi?

A ka vendosur Kryetarja e Kuvendit të hedhë poshtë Kushtetutën dhe mendimin e Komisionit të Venecias, të cilit vetë i është drejtuar?

Diferenca mes atyre që pretendojnë se e mbrojnë drejtësinë e pavarur dhe atyre që nënshkruajnë për zgjatjen e mandateve antikushtetuese është tashmë e qartë për të gjithë. Siç ka thënë edhe Presidenti Wilson, “Demokracia është një sistem i tmerrshëm, por për sa kohë që nuk kemi diçka më të mirë, duhet të luftojmë për të.”

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.