E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Spiropali takon kreun e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut: Respektimi i gjuhës shqipe dhe të drejtave të shqiptarëve i shërben integrimit europian
Lajme

Spiropali takon kreun e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut: Respektimi i gjuhës shqipe dhe të drejtave të shqiptarëve i shërben integrimit europian

Me ftesë të kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, sot po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë, kreu i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi. Gjatë takimit, Spiropali nënvizoi se vizita në Tiranë e homologut të saj nga RMV e cila zhvillohet pak kohë pas vizitës së saj në Shkup, dëshmon bashkëpunimin e ngushtë dhe intensiv mes dy kuvendeve.

Kryeparlamentarja ka theksuar se “Shqipëria synon që të anëtarësohet në Bashkimin Europian deri në 2030 dhe kjo datë është një objektiv ambicioz, por i realizueshëm”. “Ky moment pozitiv për Shqipërinë duhet parë me pozitivitet nga i gjithë rajoni. Anëtarësimi në Bashkimin Europian është një proces i bazuar në merita, zbatimin e reformave dhe përmbushjen e standardeve të BE-së dhe jo nga faktorë a rrethana të tjera. Çështjet bilaterale mes vendeve kandidate dhe anëtare të BE-së nuk duhet të bëhen pengesë në procesin e anëtarësimit”, tha ajo.

Spiropali ka shtuar se “Shqipëria shpreson që Maqedonia e Veriut të zhvillojë sa më shpejt Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me BE sepse dy vendet tona janë një vlerë e shtuar për Bashkimin Europian”.

Dy kryeparlamentarët kanë biseduar edhe sa i takon bashkëpunimit dypalësh në fushën e integrimit evropian por edhe krijimi i mekanizmave të përbashkët për shkëmbimin e informacionit e përvojave do të rrisë efikasitetin e reformave.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë të angazhuara fuqimisht në nismat rajonale, si Procesi i Berlinit, i cili ndihmon në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ekonomike, sociale dhe politike”, vijoi Spiropali.

Një vëmendje të veçantë gjatë këtij takimi i është kushtuar edhe rolit e kontributit të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut në qeverisjen dhe ruajtjen e stabiliteitt të vendit. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali ka deklaruar se respektimi i gjuhës shqipe dhe të drejtave të fituara të shqiptarëve i shërben integrimit europian të Maqedonisë së Veriut.

“Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribut jetik në qeverisje dhe ruajtjen e stabilitetit të vendit dhe kanë rol vendimtar në proceset euroatlantike dhe ruajtjen e orientimit të vendit drejt perëndimit dhe vlerave perëndimore, kaq shumë i rëndësishëm sidomos në kushtet aktuale të zhvillimeve gjeopolitike në Evropë dhe më gjerë. Respektimi i gjuhës shqipe dhe të drejtave të fituara të shqiptarëve i shërben kohezionit, mirëkuptimit dhe integrimit europian të Maqedonisë së Veriut”.

“Ne inkurajojmë një klimë më të favorshme të bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve të bizneseve shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Korridori VIII është shumë më tepër se një projekt infrastrukturor, është një projekt i madh strategjik, një mekanizëm zhvillimi, bashkëpunimi, integrimi dhe sigurie në rajon dhe më gjerë”, është shprehur ndër të tjera Spiropali.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.