Historike për Shqipërinë: Lara Colturi ngjitet në podiumin e Kupës së Botës në ski

 

Për herë të parë në historinë e sportit shqiptar, një emër i Shqipërisë vendoset mes më të mirëve në botën e skive për femra. Lara Colturi, vetëm 18 vjeç, arriti një sukses të jashtëzakonshëm duke u renditur e dyta në etapën e tretë të Kupës së Botës, pas kampiones botërore Mikaela Shiffrin.

Ky rezultat është jo vetëm një moment historik për karrierën e Colturit, por edhe për Shqipërinë, që falë saj hyn për herë të parë në garën prestigjioze të një sporti që tradicionalisht nuk e ka kultivuar.

Vetëm pak ditë pasi festoi ditëlindjen e saj të 18-të, Lara Colturi ka shndërruar talentin dhe punën e saj të palodhur në një kërcënim real për emrat më të mëdhenj të këtij sporti.

Përballë shteteve si SHBA, Zvicra, Suedia dhe Norvegjia, Shqipëria tashmë ka një përfaqësuese që jo vetëm konkurron, por edhe arrin rezultate të jashtëzakonshme. Ky është një moment që jo vetëm e ngre në piedestal Colturin, por edhe i jep Shqipërisë një vend të merituar mes gjigantëve të sportit botëror.

Lara Colturi, e cila konsiderohej një fenomen në sportin e skive, sot provoi se është shumë më tepër: një yll në ngjitje që premton shumë për të ardhmen.

Publikuar nga Publik Media