E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Bashkia e Tiranës gjobit bizneset, ndërsa inceneratorëve u derdh miliona
Lajme

Bashkia e Tiranës gjobit bizneset, ndërsa inceneratorëve u derdh miliona

 

Bizneset e Tiranës janë përballur me një tjetër goditje të papritur nga Bashkia e Tiranës, e cila ka vendosur të bllokojë llogaritë bankare të subjekteve që nuk kanë shlyer një diferencë taksash për vitin 2023. Për ironi, ndërsa qytetarët dhe bizneset ndëshkohen pa paralajmërim, pagesat për inceneratorin famëkeq vazhdojnë pa ndërprerje.

Kjo situatë ka nxitur zemërim të madh në komunitetin e biznesit. Shumë subjekte janë njoftuar nga bankat për bllokimin e llogarive të tyre, pasi Bashkia pretendon se nuk kanë shlyer “diferencën” që u krijua nga rritja e çmimeve të referencës në gusht 2023. Sipas vendimit të miratuar nga Këshilli Bashkiak në mars 2024, kjo shumë duhej të paguhej brenda shtatorit 2024. Por bizneset thonë se nuk kanë marrë asnjë njoftim nga Bashkia për këtë detyrim shtesë, duke e cilësuar situatën një akt të papërgjegjshëm.

“Unë kam mbyllur të gjitha detyrimet e vitit 2023 dhe madje kam marrë edhe vërtetim nga Bashkia se nuk kam asnjë borxh. Sot më njoftojnë nga banka se më kanë bllokuar llogarinë. Si mund të ndodhë kjo?” pyet e revoltuar J.S., administratore e një biznesi tregtar.

Nëpër korridoret e Bashkisë dhe absurditeti i procedurave

Në dyert e Bashkisë, sipërmarrës të shumtë kërkonin shpjegime për masat ekstreme të bllokimit të llogarive bankare. Disa prej tyre thonë se janë përballur me gjoba dhe kamatëvonesa për një detyrim që as nuk e dinin se ekzistonte. Pavarësisht pretendimeve të Bashkisë se të gjitha procedurat janë ndjekur, bizneset insistojnë se nuk janë lajmëruar as në prill, as në qershor, kur kishin afatet për pagesën e kësteve të taksave.

“Problemi nuk është te shuma, por te mënyra se si vepron Bashkia. Si mund të njoftohesh për një borxh përmes bankës? Kjo është mungesë totale transparence,” thotë P. Isufaj, drejtuese e një farmacie.

Rritja e taksave dhe penalitetet

Rritja e çmimeve të referencës për 32 zonat kadastrale të Tiranës ka bërë që detyrimi për taksën e ndërtesës të shtrenjtohet për të gjithë, si për familjet, ashtu edhe për bizneset. Kjo rritje nisi të zbatohej nga gushti 2023, duke i shtuar barrën bizneseve në mënyrë retroaktive. Diferenca e krijuar, e quajtur “kësti i tretë”, është reflektuar vetëm në korrik 2024, dhe shumë biznese nuk ishin informuar për të.

Ironia e situatës: Dy standarde për taksat dhe paratë publike

Në kontrast të plotë me ndëshkimin e menjëhershëm për bizneset, pagesat për inceneratorët, të cilët janë kthyer në simbol të keqpërdorimit të parasë publike, vijojnë rregullisht. Ky dyshim i thelluar për prioritetet e Bashkisë ka rritur mosbesimin e qytetarëve dhe biznesit ndaj institucioneve lokale.

Në fund, ky rast tregon se Bashkia e Tiranës jo vetëm që dështoi në komunikim, por edhe tregoi arrogancë në trajtimin e atyre që mbajnë në këmbë ekonominë e qytetit. Ndërsa llogaritë e bizneseve janë bllokuar, llogaritë që derdhin miliona për inceneratorët qëndrojnë të paprekura. A duhet të ketë një drejtësi të barabartë për të gjithë, apo vetëm për ata që nuk kanë lidhje me pushtetin?

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.