Unaza e Madhe një tjetër “sukses” i shkel e shko i qeverisë Rama

Unaza e Madhe e Tiranës, një projekt që ka thithur miliarda nga buxheti i shtetit, është shembulli i fundit i skandaleve të infrastrukturës që shpërblejnë oligarkët, ndërsa qytetarët përballen me pasojat e punimeve të dobëta. Me gjithë premtimet e bujshme dhe inagurimet pompoze, realiteti i kësaj “vepre madhështore” është një tjetër dështim që rëndon mbi xhepat dhe sigurinë e shqiptarëve.
Nga premtimet e pambajtura te cilësia skandaloze
Unaza e Madhe ishte premtuar për përfundim që në gusht 2023 nga ministrja Belinda Balluku, një afat që rezultoi një tjetër gënjeshtër e qeverisë. Ish-drejtuesi i ARRSH-së, Ergys Verdho (sot në burg për afera korruptive), premtoi më pas përfundimin në vitin 2024. Por ajo që qytetarët kanë marrë është një rrugë e hapur me ngut për të përmbushur premtimet e 31 dhjetorit, me cilësi që sfidon çdo standard teknik dhe moral.
Një segment i sapohapur i Unazës, që lidh ish-Doganën me Paskuqanin, është bërë burim shqetësimesh për drejtuesit e mjeteve. Një qytetar ka raportuar se, duke ndjekur limitin e shpejtësisë prej 90 km/h, amortizatorët dhe disqet e makinës dëmtohen rëndë. “Po të ecësh aty, i thua mirupafshim disqeve dhe amortizatorëve. Kjo është një tallje me taksat tona,” thotë qytetari në një mesazh dërguar mediave.
Shkel e shko për të shpërblyer oligarkët
Unaza e Madhe është një tjetër episod në sagën e abuzimeve me fondet publike nga qeveria Rama. Rruga, e cila duhej të ishte një model i përfundimit me cilësi, ndjek gjurmët e dështimeve të mëparshme si aksi Thumanë-Kashar. Kompani si “Gener 2” dhe kolegët e saj oligarkë, të favorizuar nga qeveria, po përfitojnë miliarda në kurriz të qytetarëve që përballen me cilësi punimesh poshtë çdo standardi.
Kostoja e premtimeve të pambajtura
Ky nuk është vetëm një problem teknik, por edhe një çështje e drejtësisë dhe transparencës. Qeveria ka dështuar të monitorojë dhe të sigurojë cilësinë e projekteve të saj. Nga afatet e shkelura deri te punimet e dobëta, gjithçka është një dëshmi e keqmenaxhimit dhe korrupsionit që ka kapur çdo nivel të administratës.
Unaza e Madhe, në vend që të ishte një arritje për qytetarët, është kthyer në një tjetër simbol të abuzimit me fondet publike dhe të papërgjegjshmërisë qeveritare. Kur taksat e qytetarëve shndërrohen në përfitime për një grusht oligarkësh, është e qartë se nuk kemi të bëjmë me një shtet që punon për qytetarët, por për interesat e veta klienteliste.
Apel për transparencë dhe përgjegjësi
Është koha që qytetarët të kërkojnë llogari. Nëse rrugët e vendit ndërtohen për të përmbushur objektiva politike dhe jo për të shërbyer popullin, atëherë qeveria duhet të mbajë përgjegjësi për dëmet që shkakton. Çdo ditë që kalon pa reagim është një ditë që legjitimon këtë qeverisje të shkel e shko.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



