Mark Zuckerberg: CIA mund të lexojë mesazhet në WhatsApp
CEO i Meta, Mark Zuckerberg, të shtunën tha se autoritetet amerikane, si Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA), mund të lexojnë mesazhet tona në WhatsApp duke pasur akses fizik në pajisje.
Ai shtoi se kjo është e mundur pavarësisht enkriptimit nga një fund në tjetrin të aplikacionit. Gjatë një bisede në podcast-in “The Joe Rogan Experience,” Zuckerberg trajtoi pyetjet rreth mënyrës se si agjencitë qeveritare mund të anashkalojnë enkriptimin për të hyrë në komunikimet private.
Zuckerberg shpjegoi se ndërsa enkriptimi i WhatsApp-it siguron që serverat e Meta-s nuk mund të shohin përmbajtjen e mesazheve, kjo mbrojtje nuk përfshin të dhënat e ruajtura në pajisjen e përdoruesit.
“Ajo që bën enkriptimi është të sigurojë që kompania që ofron shërbimin nuk e sheh. Nëse po përdorni WhatsApp, nuk ka asnjë moment kur serverat e Meta-s të shohin përmbajtjen e atij mesazhi,” tha ai.

Megjithatë, sipas tij, autoritetet mund të shfrytëzojnë dobësitë e vetë pajisjeve, duke anashkaluar plotësisht enkriptimin.
Ky zbulim erdhi gjatë një diskutimi mbi akuzat e gazetarit Tucker Carlson se agjencitë amerikane të inteligjencës, përfshirë Agjencinë e Sigurisë Kombëtare (NSA) dhe CIA, penguan përpjekjet e tij për të intervistuar presidentin Rus Vladimir Putin duke pasur akses në mesazhet e tij private.
Carlson kishte pohuar se këto agjenci kishin nxjerrë planet e tij, duke ndërprerë procesin e intervistës me liderin rus.
Zuckerberg gjithashtu i tha Roganit se mjete si spyware, përfshirë softuerin kontrovers Pegasus, po u mundësojnë agjencive të kenë akses të drejtpërdrejtë në të dhënat e ruajtura në pajisje.
Sipas tij, këto mjete lejojnë mbikëqyrje, përfshirë leximin e mesazheve të enkriptuara, shikimin e fotove dhe aksesin në regjistrat e thirrjeve, pa qenë e nevojshme të ndërpriten komunikimet gjatë transmetimit.

Si përgjigje ndaj këtyre rreziqeve, Zuckerberg tha se WhatsApp po prezanton masa për të rritur privatësinë e përdoruesve, siç janë mesazhet që zhduken.
Kjo veçori fshin automatikisht mesazhet pas një kohe të caktuar, duke reduktuar sasinë e të dhënave sensitive të ruajtura në pajisje.
“Nëse dikush ka kompromentuar telefonin tuaj, mund të shohë gjithçka që vjen. T’i kesh të enkriptuara dhe që zhduken është një standard i mirë për sigurinë dhe privatësinë,” tha ai.
Ndërsa enkriptimi mbron komunikimet gjatë transmetimit, qeveritë argumentojnë se kjo mund të pengojë përpjekjet për të luftuar krimin dhe terrorizmin.
Një dokument i FBI-së i vitit 2021 zbuloi se agjencitë mund të kenë akses të kufizuar në komunikimet e enkriptuara në platforma si WhatsApp dhe iMessage përmes metodave si kopjet rezervë në cloud ose aksesit në pajisje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



