Ambasadorokracia e “KIMETEVE” në vendin e shqipeve
Naim Noka
Shqiptarët kanë një dhunti të veçantë, të bien në grackën e glorifikimit të të huajve, edhe kur ata shfaqen hapur si spekulantë. Në vend që të debatojmë mbi hallet tona, mbi qeverisjen tonë, mbi të ardhmen tonë, shpesh përfundojmë duke bërë avokatinë e një ambasadori, të një “diplomati shpëtimtar,” që shpesh nuk është gjë tjetër veçse një instrument i interesave të vendit të tij. Jo vetëm politikanët por dhe media ka mëkatet e veta. Mediat ‘kombëtare’ audiovizive nuk harrojnë porositë që të bëjnë lajm edhe kur X ambasador ha byrek me gjizë në Lushnje, apo suxhuk dhe fli në Tropojë.
Kur Yuri Kim ishte në detyrë në Shqipëri, çdo kritikë ndaj saj cilësohej si “antiamerikanizëm” apo “sulm ndaj reformës në drejtësi.” Ajo që ndodhte në fakt ishte thjesht përpjekja për të thënë të vërtetën: se ajo shpesh sillej më shumë si guvernatore se sa si ambasadore. Kritikat e saj publike, ndërhyrjet e saj të hapura në politikën shqiptare, dhe afërsia me pushtetin e Edi Ramës e bënë të duket si një mbrojtëse e regjimit dhe jo si një përfaqësuese objektive e demokracisë. Kush e kujton Yuri Kim që e quante ironi historike, duke sugjeruar që Partia Demokratike, forca e parë anti-komuniste në vend, “të mos hajë bar” për interesat e një njeriu të vetëm, Berishës. Ambasadorja u bë njeriu më i urryer për opozitën dhe me i dashur për popullin ‘rilindas’.
Por, ku janë “proamerikanët” kur Kim po e kritikojnë edhe nga vetë amerikanët? Kur në media ndërkombëtare u përmend si “e korruptuara e autokratit Rama,” entuziazmi i mbrojtjes së saj u venit.
Kjo situatë tregon një realitet të hidhur: shqiptarët janë gati të përçahen mes tyre për të mbrojtur një ambasador të huaj, qoftë edhe kur ai ose ajo është dukshëm i/e kompromentuar. Në emër të “aleancave strategjike,” shpesh harrojmë se aleanca jonë më e rëndësishme duhet të jetë me njëri-tjetrin.
Ne nuk duhet të harrojmë se ambasadorët nuk janë mbrojtës të Shqipërisë, por përfaqësues të interesave të vendeve të tyre. Kurse ne, shqiptarët, kemi detyrën të mbrojmë interesat tona. Kritika ndaj ambasadori si Yuri Kim apo dhe ca të tjerëve si puna e një “kokëleshi” gjerman që u nxori gishtin e mesit protestuesve, nuk është as antiamerikanizëm, as tradhti kombëtare. Përkundrazi, është një përpjekje për të ruajtur dinjitetin kombëtar dhe për të mos rënë në grackën e një “ambasadorokracie” që vendos të ardhmen tonë mbi baza të huaja dhe jo kombëtare.
Rasti i Yuri Kim duhet të na bëjë reflektues. A do të vazhdojmë të përçahemi për diplomatë të huaj? Apo do të fillojmë më në fund të flasim për atë që me të vërtetë ka rëndësi: për keqqeverisjen e vendit tonë, për korrupsionin, për krizën politike dhe ekonomike që po mbyt shqiptarët çdo ditë e më shumë?
Hajdeni të fokusohemi te punët tona dhe hallet tona që nuk sosen. Se Amerika ka Trumpin dhe kishte Bidenin, por ne kemi Ramën që tall “benevrekët” prej 12 viteve me të gjitha pushtetet duke patur ndihmën korruptive të ambasadores që demokratët i vunë nofkën “Kimete”.
Çim Peka i thoshte live në emision Yuri Kim : Kur erdhi, ishte si plaka ime. Iku si Monika Belucci!
Jemi në pikë të hallit si shoqëri dhe kriza jonë pret një zgjidhje nga vetë shqiptarët me 11 maj. Ndaj, në vend që të glorifikojmë ambasadorët e huaj, le të japim kuptim debatit publik për të ardhmen e Shqipërisë. Se vetëm kështu i bëhet mirë këtij vendi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



