Mbi dy muaj pas tragjedisë që tronditi jetën e tij dhe të bashkëmoshatarëve, Luisi Meçja, një 14-vjeçar i pasionuar pas futbollit, është rikthyer në stërvitje. Historia e tij ka qenë në qendër të vëmendjes që nga ngjarja tragjike pranë shkollës “Fan Noli”, ku humbi jetën shoku i tij më i ngushtë, Martin Cani.
Luisi shpëtoi mrekullisht, por përleshja që i kushtoi jetën Martinit e la atë me plagë fizike dhe emocionale të thella. Pas muajsh trajtimesh, fillimisht në spitalin e Traumës dhe më pas në Itali, ai është gati të vazhdojë ëndrrën e tij, ndonëse rruga duket e vështirë.
“Me shëndet jam mirë,” shprehet Luisi në një intervistë për gazetarin Endi Tufa. “Kam shumë dëshirë të rikthehem në formën që kisha, por ndihem shumë i lodhur, nuk kam oreks, nuk mund të ha. Do të më duhet të bëj kontrolle të vazhdueshme në Itali për tre vite rresht.”
Rikthimi në skuadër ka qenë emocional. Shokët e ekipit e pritën ngrohtësisht, por mungesa e Martinit është ende e rëndë. “Nuk është si më parë,” thotë Luisi. “Martini ishte humori i ekipit, vëllai ynë. Çdo gjë ka ndryshuar.”
Me dhimbjen e humbjes së mikut dhe dëshirën për të përballuar sfidat e tij fizike, Luisi gjen forcën të vazhdojë. “Luaj për dy, jo vetëm për veten,” thotë ai me vendosmëri, duke i dhënë një kuptim të ri ëndrrës së tij për t’u bërë futbollist profesionist.
Tani, me një synim të qartë dhe një motiv më të madh, Luisi synon jo vetëm të rikuperohet, por edhe të nderojë kujtimin e Martinit duke e çuar ekipin drejt suksesit.