E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Socialistët miratojnë ligjin:  Resortet me 4-5 yje përjashtohen nga taksat për 10 vitet e ardhshme
Lajme

Socialistët miratojnë ligjin: Resortet me 4-5 yje përjashtohen nga taksat për 10 vitet e ardhshme

Hotelet dhe resortet me 4 ose 5 yje që do të marrin “statusin special” deri në vitin 2026, nuk do të paguajnë tatim mbi të ardhurat për 10 vitet e ardhshme. Në këtë kategori të subjekteve akomoduese përfshihen hotelet me 4 ose 5 yje, si dhe ato subjekte të cilat kanë kontratë me marka të njohura për të sjellë emrin e tyre në Shqipëri, njohur ndryshe edhe si “brand name”.

Kuvendi miratoi pak pas mesnatës zgjatjen me 2 vite të afatit të përjashtimit nga tatimi mbi fitimin për hotelet luksoze më 4 dhe 5 yje, si dhe shtyrjen deri më 31 dhjetor 2026 të afatit për aplikimin për investime strategjike.

Pas 9 orëve debat, Kuvendi hodhi në votim pr/ligjet dhe pr/vendimet e rendit të ditës, ku në sallë mungonin shumë deputetë.

Kryetares së Kuvendit iu desh të priste disa minuta përpara se të hapte prezencën. Votimi nisi në orën 00:15 minuta të 31 janarit 2025, kur në seancë zunë vendin deputetët e mazhorancës, ndërsa karriget e opozitës vijuan të ishin bosh, me përjashtim të deputetit të PD-së Bujar Leskaj, i cili për dy pr/ligje bashkoi votën me socialistët.

Kështu pr/ligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për investimet e strategjike në Republikën e Shqipërisë” u miratua me 73 vota pro, 1 kundër  dhe 0 abstenim. Vota kundër ishte e Bujar Leksajt të PD-së.

Ndërsa projektligji për një shtesë në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, që përjashton nga tatimi mbi të ardhurat e korporatave për një periudhë 10-vjeçare, për ato struktura të cilat përfitojnë statusin special deri në dhjetor 2026, u miratua me 68 vota pro, 1 kundër dhe 3 abstenim.

Kundër votoi deputeti i PD, Bujar Leskaj, ndërsa abstenuan deputetët e PS, Erion Braçe, Pandeli Majko dhe Petro Koçi.

Sipas këtij pr/ligji të iniciuar nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, të gjitha subjektet e hotelerisë, që përfitojnë statusin special brenda datës 31 dhjetor 2026, përjashtohen nga tatimi mbi fitimin për 10 vitet e ardhshme.

Për deputeten e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, me këtë pr/ligj favorizohen oligarkët.

“Ky nuk është një shtet, ky është një klub i të privilegjuarve. Kjo nuk është një paketë për zhvillimin e Shqipërisë. Kjo është një paketë anti-Shqipëri; një paketë që favorizon oligarkët dhe e lë shumicën e shqiptarëve në varfëri; një paketë që forcon monopolin e një pakice, ndërsa shumica lufton për mbijetesë; një paketë që shkatërron konkurrencën dhe pengon shqiptarët e ndershëm të ecin përpara”, u shpreh Tabaku.

Sipas ligjit ekzistues, të gjitha subjektet e hotelerisë, që përfitonin statusin special brenda datës 31 dhjetor 2024, përjashtohen nga tatimi mbi fitimin për 10 vitet e ardhshme.

Por përmes projektligjit të miratuar në Kuvend ky afat të zgjatet deri në 31 dhjetor të vitit 2026. Kjo do të thotë se përjashtimin nga tatim fitimi në dhjetë vitet e ardhshme do ta përfitojnë edhe subjektet, të cilat marrin statusin special nga qeveria në dy vitet e ardhshme.

“Qëllimi i projektligjit është të përjashtojë nga tatimi mbi të ardhurat e korporatës entitetet që operojnë në struktura akomoduese “hotel/resort me katër dhe pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruara dhe njohur ndërkombtarisht “brand name”, përjashtojë nga tatimi mbi të ardhurat e korporative për një periudhë 10 -vjeçare, për ato struktura, të cilat përfitojnë statusin special deri në dhjetor 2026. Efektet e përjashtimit fillojnë në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit. Ky projektligji synon incentivimin e sektorit të turizmit duke ulur normën tatimore ne 0% për 10 vitet e para fiskale, për strukturat akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmi”, thuhet në projektligj.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.