Macron uron pavarësinë e Kosovës: Do mbështesim zhvillimin dhe perspektivën europiane të vendit
Pas kreut të Shtëpisë së Bardhë Donald Trump, edhe presidenti francez Emmanuel Macron uroi Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë të Republikës së Kosovës dhe thekson përkushtimin e Francës për perspektivën evropiane të Kosovës.
Në një mesazh për Presidenten Osmani, Presidenti francez Emmanuel Macron ka shprehur urimet e tij për pavarësinë e Kosovës dhe ka ritheksuar mbështetjen e Francës për forcimin e pavarësisë së Kosovës. Ai theksoi rëndësinë e rikonfirmimit të perspektivës evropiane për Kosovën dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Macron ka shprehur mbështetje për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke e konsideruar këtë si një hap thelbësor për përparimin e procesit të integrimit evropian të Kosovës. Ai gjithashtu ka theksuar nevojën e avancimit në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit-Ohrit, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Presidenti francez ka shprehur gjithashtu gatishmërinë e Francës për të mbështetur organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 në Kosovë dhe ka falënderuar Presidenten Osmani për pjesëmarrjen në ceremoninë e rihapjes së Notre-Dame de Paris. Ky mesazh i Presidentit Macron është një tjetër dëshmi e angazhimit të Francës për forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe përkrahjen e Kosovës në rrugën e saj drejt zhvillimit dhe integrimit evropian.
Urimi i plotë
Zonja Presidente, e dashur Vjosa
Me rastin e festës kombëtare të Republikës së Kosovës, dëshiroj t’ju shpreh urimet e mia dhe t’ju ritheksoj gjithë përkushtimin që Franca ka për pavarësinë e Kosovës.
Përballë çrregullimeve dhe fragmentimit të botës, perspektiva evropiane e Kosovës, si e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të rikonfirmohet. Ju siguroj për përkrahjen e Francës për të mbështetur vendin tuaj në këtë rrugë.
Në këtë drejtim, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është një hap thelbësor. Emërimi i një Përfaqësuesi të ri special të Bashkimit evropian duhet të jetë një mundësi për të bërë përparim në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit-Ohrit, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Shpresoj gjithashtu që dy vendet tona, të lidhura me vlerat e Olimpizmit, të mund të vazhdojnë të bashkëpunojnë, veçanërisht lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 në Kosovë. Franca është e gatshme t’ju ndihmojë që kjo ngjarje madhore të ketë një sukses të plotë.
Së fundi, dëshiroj t’ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në ceremoninë e rihapjes së Notre-Dame de Paris, për të cilën ju jam mirënjohës.
Ju lutem pranoni, zonja Presidente, konsideratën time më të lartë.
Përzemërsisht,
Emmanuel MACRON
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




