Pazaret për prishjen e drejtësisë/ Bisedat në Sky ECC nxjerrin në pah skemën korruptive
Një nga rastet më emblemëtike të kësaj prapaskene është dosja “Toyota Auris”, ku 3.4 milion euro u futën në mënyrë të paligjshme përmes Portit të Durrësit.
Kjo çështje, e cila fillimisht u hetua nga Krimet e Rënda, më pas u kalua në Gjykatën e Tiranës për shkak të shpalljes së moskompetencës, ka nxjerrë në pah sesi individë brenda sistemit të drejtësisë dhe aktorë politikë kanë manipuluar proceset për interesa personale dhe politike.
Pazaret për prishjen e drejtësisë: Përgjimet që nxjerrin në pah korrupsionin
Një bisedë e zbuluar mes ish-oficeres së BKH-së, Erjona Daupaj, dhe avokatit Radovan Çela krijon dyshime serioze se për të ndikuar në ndryshimin e masave të sigurimit, janë paguar para për prokurorët dhe gjyqtarët e çështjes.
Në bisedën e zbuluar, Daupaj flet me avokatin Çela dhe i referohet një personi të quajtur “Eli” – duke nënkuptuar Elizabeta Imerajn, ish-kryeprokurore e Tiranës – dhe pakënaqësisë së saj se prokurorja e çështjes fillimisht kishte propozuar “arrest në burg” për Alfred Vladin dhe Elvis Vladin, por vendimi ishte ndryshuar pas presionit të ushtruar nga aktorë të jashtëm.
Pjesë nga biseda:
Radovan Çela: Shih mos bën ankim ajo për masat se po pyeste gjyqtarin se kur do e nxirrte vendimin.
Eriona Daupaj: Për çfarë po e pyeste, për të bërë ankim apo për të nxjerrë urdhër ekzekutimi?
Radovan Çela: Nuk e di.
Eriona Daupaj: E hoqa nga qarkullimi. Vetëm dje iku në seancë se ishte Erioni me masat e tërmetit. Çova porosinë tënde dhe i thashë ma hiq nga qarkullimi se nuk kam nerva të merrem. Më mjaftoi Doloreza dhe Enedi, një e tretë do ishte e tepër. Më tha që nuk ka më punë.
Radovan Çela: Bëji gjërët më saktë tani thuaji, se e kemi marrë një karton të verdhë dhe po morëm dhe një tjetër bëhet i kuq.
Eriona Daupaj: I thashë mos më turpëro me njerëzit se ata janë lojtarë Peqini, luajnë me galaktikët. Ledina në bus, Erjoni po ashtu. Jo t’i mblidhte prokurorët e t’ju thoshte këtu jemi. Nuk ka më këtej e tutje. Të marrin të firmosin aktet dhe ta çojë Erjoni në gjyq. Nuk kam nerva i thashë të filozofoj me njeri. I mbylli Frani shtigjet e filozofisë.
Eriona Daupaj: Sa lekë mori Lazri?
Radovan Çela: S’e di, por i kanë edhe një pesëshe tjetër.
Eriona Daupaj: 15 në total. Bravo Lazri. E ka bërë me shifrën fillestare.
Radovan Çela: Dhe mori gjithë atë kosto.
Eriona Daupaj: Nuk e ka problem Lazri që tek pafajësia e Bashës. Janë mësuar gjyqtarët e Tiranës. Çudia më e madhe 3 ditë zgjat.
Ndikimi i politikës dhe drejtësisë së kapur
Këto biseda tregojnë qartë sesi korrupsioni është kthyer në normë në sistemin gjyqësor shqiptar. Janë paguar shuma të konsiderueshme parash për të ndikuar vendimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërsa individë të fuqishëm, të lidhur me politikën, ndërhynë direkt për të manipuluar sistemin.
Drejtësia e kapur nga politika vazhdon të jëtë një nga sfidat kryesore të Shqipërisë. Dosja “Toyota Auris” është vetëm maja e ajsbergut në këtë sistem të korruptuar, ku vendimet nuk merren mbi bazën e ligjit, por të pagesave dhe ndikimeve politike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



