Laboratori fantazmë i Universitetit Bujqësor me fatura të kripura

Arrestimet e fundit nga SPAK në Universitetin Bujqësor të Tiranës shënojnë një tjetër episod të errët në sagën e gjatë të korrupsionit në arsimin e lartë shqiptar. Ato janë një sinjal se, pavarësisht reformave të shumëpërfolura, universitetet mbeten ndër institucionet më të ekspozuara ndaj abuzimit të fondeve publike dhe paaftësisë menaxheriale.
Por, përtej bujës së arrestimeve dhe deklaratave politike, duhet të fokusohemi në atë që ka ndodhur realisht në këtë universitet. Si u bë e mundur që miliona lekë të zhdukeshin për një laborator që nuk ekziston praktikisht? Si është e mundur që një qendër laboratorike e sigurisë ushqimore dhe shëndetit të kafshëve të ekzistojë vetëm në letër dhe në llogaritë bankare të disa individëve?
Një Laborator që ekziston vetëm në letër, por me fatura të majme
Një projekt i AKSH-it, që u financua me 275 milionë lekë të vjetra, u reklamua me pompozitet si investimi që do të krijonte për herë të parë në Shqipëri një qendër laboratorike për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e kafshëve. Zyrtarisht, ky laborator është pjesë e Universitetit Bujqësor. Praktikisht, nuk ka prodhuar asnjë analizë, nuk ka asnjë pajisje funksionale dhe është thjesht një mashtrim i mirëkoordinuar me para publike.
Çfarë është blerë për këtë laborator fantazmë?
• Një blender frutash me çmim 600 mijë lekë (u mendua për analiza laboratorike, por ndoshta po përdoret për smoothie në ndonjë zyrë).
• Dollapë për ruajtjen e reagentëve (që nuk kanë as aspirim), me kosto totale 1.7 milionë lekë. Në një laborator që nuk bën analiza, të paktën mund të ruajë dosjet e tenderave.
• Pajisje të vjetra 40-vjeçare që nuk kanë kite në treg, me kosto marramendëse 8.7 milionë lekë – një relike e vërtetë për muzeun e korrupsionit.
• Një pajisje e papërdorshme për shkak të reagentëve shumë të shtrenjtë, e blerë për 93.6 milionë lekë dhe që tani pret ndonjë specialist që mund ta rregullojë – ndoshta nga Austria e 2030-ës?
• Mikroskopë me çmimin 3 milionë lekë secili, ndoshta për të studiuar me imtësi abuzimin e fondeve.
• Një konxhelator (frigorifer), me vlerë 5.7 milionë lekë, që është i vetmi që funksionon. Mbase sepse aty mund të ruhen më mirë dosjet e korrupsionit.
• Vorteks për përzierjen e tretësirave, me çmimin 1.5 milionë lekë secili, por me mungesë totale të tretësirës së ndershmërisë.
• Banjo marie për 1.5 milionë lekë, sepse edhe në një laborator fantazmë, diçka duhet të zihet.
Lista e shpenzimeve të pakuptimta dhe pajisjeve pa funksion nuk mbaron këtu. Një pjesë e madhe e fondeve është vjedhur haptazi përmes faturave fiktive, duke krijuar një imazh të një qendre laboratorike që ekziston vetëm në avull, ashtu si shumë projekte të tjera në arsimin shqiptar.
Universiteti: Oaz i korrupsionit, jo i dijes
Nuk është hera e parë që Universiteti Bujqësor përfshihet në afera të tilla. Skandalet me diplomat e dyshimta, me emërimet nepotike të pedagogëve dhe menaxhimin e fondeve janë të njohura prej vitesh. Përse, atëherë, duhej pritur që SPAK të ndërhynte? Ku kanë qenë deri tani institucionet e tjera përgjegjëse për monitorimin e këtyre fondeve?
Më shqetësuese është fakti që në këtë laborator-fantazmë janë paguar edhe punonjës që nuk kanë punuar asnjë ditë, por që janë në borderotë e shtetit. Një laborator pa analiza, pa pajisje, pa staf të vërtetë – por me një faturë shumë të lartë për taksapaguesit.
Pse është i rëndësishëm ky rast?
Rasti i Universitetit Bujqësor është një shembull perfekt i një modeli të dështuar të arsimit të lartë në Shqipëri.
• Universitetet nuk funksionojnë si qendra akademike dhe kërkimore, por si ndërmarrje klienteliste ku paratë publike ndahen në grupe të caktuara interesi.
• Projektet e financuara nga shteti nuk kanë asnjë monitorim efektiv dhe shpesh përfundojnë në abuzime të tilla.
• Drejtësia vjen gjithmonë me vonesë, pasi dëmi është bërë dhe fondet janë zhdukur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



