BERAT/ Skandali i mandarinave me pesticide, u rishitën në tregun shqiptar
Arrestohen tre persona, frutat u rishitën në Berat pas kthimit nga Kroacia
Tre persona janë arrestuar për përfshirje në skandalin e shitjes së mandarinave me përmbajtje të lartë të pesticidit të ndaluar “Fosmet”. Frutat, të cilat u kthyen nga Kroacia për shkak të rrezikshmërisë për shëndetin, në vend që të asgjësoheshin, u rishitën sërish në Berat dhe zona të tjera.
Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Berat, ka zhvilluar një operacion pas hetimeve disa mujore, duke ndaluar tre shtetas të dyshuar për:
• Shkelje të rregullave mbi lëndët helmuese
• Prodhim dhe shitje të ushqimeve të rrezikshme për shëndetin
• Mashtrim me produktet ushqimore
• Shpërdorim detyre
Si funksionoi skema e mashtrimit?
Sipas hetimeve, shtetasi Elton Tafa, me profesion fermer, i shiti rreth 10 ton mandarina administratorit të një pike grumbullimi, Arben Dyli, i cili më pas i eksportoi drejt Kroacisë. Autoritetet kroate zbuluan përmbajtjen e lartë të pesticidit Fosmet, një substancë e ndaluar dhe e rrezikshme për konsum. Për këtë arsye, ngarkesa u kthye në Shqipëri.
Në vend që mandarinat të groposeshin sipas protokolleve të sigurisë ushqimore, Arben Dyli i hodhi sërish në treg, duke vënë në rrezik shëndetin e konsumatorëve.
Hetimet gjithashtu kanë zbuluar përfshirjen e Elson Tahiraj, inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, i cili akuzohet se ka shpërdoruar detyrën duke lëshuar certifikata fitosanitare fiktive për këtë subjekt dhe të tjera.
Të arrestuarit:
1. Arben Dyli (1969) – administrator i pikës së grumbullimit
2. Elton Tafa (1979) – fermer, furnizuesi i mandarinave
3. Elson Tahiraj (1995) – inspektor i Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Beratit për hetime të mëtejshme, ndërsa pritet të zbardhen edhe emra të tjerë të përfshirë në këtë skemë që ka vënë në rrezik shëndetin e qytetarëve shqiptarë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



