SHBA i ka dhënë goditje e tretë Ukrainës brenda pak ditëve. Pas heqjes së ndihmave dhe inteligjencës ushtarake, Donald Trump ka pezulluar përkohësisht aksesin e Ukrainës në disa imazhe satelitore.
Ky lajm është konfirmuar për BBC nga kompania e teknologjisë hapësinore Maxar.
Kjo vjen pasi SHBA vendosi të ndalojë shkëmbimin e inteligjencës me Ukrainën pas një prishjeje të marrëdhënieve pas përplasjes në Zyrën Ovale javën e kaluar .
Maxar, një kompani me bazë në SHBA, ka kontrata për të ofruar imazhe satelitore për qeveri dhe kompani të ndryshme.
Një prej tyre është programi Global Enhanced GEOINT Deliver (GEGD), i cili u jep përdoruesve akses në imazhet me cilësi të lartë të mbledhura nga qeveria e SHBA.
“Qeveria amerikane ka vendosur të pezullojë përkohësisht llogaritë e Ukrainës në GEGD”, tha Maxar. “Çdo klient merr vendimet e veta për mënyrën se si i përdorin dhe ndajnë ato të dhëna”.
Agjencia Kombëtare e Inteligjencës Gjeohapësinore, pjesë e Departamentit të Mbrojtjes së SHBA konfirmoi se pezullimi ishte “në përputhje me direktivën e administratës për mbështetjen ndaj Ukrainës”.
Imazhet satelitore janë një mjet i rëndësishëm gjatë një lufte pasi u lejon ushtrive të mbledhin inteligjencë mbi rivalët e tyre.
Ndërkohë mbrëmjen e djeshme presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, tha se është më e vështirë për t’u marrë vesh me Ukrainën se Rusinë. Ai ka deklaruar për mediat nga Zyra Ovale se po e gjen “më shumë të vështirë që të merret me Ukrainën” se Rusinë pas përpjekjeve për të sjellë paqe mes dy vendeve.
Sipas tij, SHBA po bën shumë mirë me Rusinë dhe mund të jetë më e lehtë që të merresh vesh me Moskën se me Kievin. Këto deklarata erdhën pak pasi Trump tha se po konsideronte sanksione dhe tarifa në shkallë të gjerë ndaj Rusisë derisa të arrihej një armëpushim me Ukrainën.
BBC shkruan se Presidenti i SHBA-së deklaroi se po i mendonte tarifat pas sulmeve të fundit të Rusisë në Ukrainë. Por pavarësisht kësaj, brenda disa orësh Trump ndryshoi sërish qasje kur tha për Putin se po vepronte siç do bënte çdokush tjetër. Ai shtoi se beson se Putin e do fundin e luftës, por nuk mund ta thotë të njëjtën gjë për Ukrainën.
Kujtojmë se një javë më parë, Trump dhe Zelensky patën një përplasje të ashpër në Zyrën Ovale. Kjo u bë shkak që të mos nënshkruhej marrëveshja për mineralet e rralla. Ndër të tjera, SHBA-ja pezulloi ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës.