Masakër mjedisore në Shijak: Banorët akuzojnë kryebashkiakun për djegie të paligjshme të mbeturinave
Qytetarët e Shijakut janë duke përjetuar një krizë të rëndë mjedisore, teksa mbeturinat e qytetit, në vend që të trajtohen në mënyrë të ligjshme, po digjen në fshatrat përreth, duke shkaktuar ndotje masive dhe rrezik për shëndetin publik.
Sipas banorëve, kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana, ka urdhëruar mbledhjen e mbeturinave me kamionë dhe djegien e tyre në zona të pabanuara, për shkak të mungesës së një vendgrumbullimi të përshtatshëm. Procesi kryhet kryesisht gjatë natës, duke e bërë edhe më të vështirë identifikimin e përgjegjësve, ndërsa re të dendura tymi përhapen mbi zonën, duke rrezikuar shëndetin e mijëra qytetarëve.
Përveç mbeturinave, ndotja e ajrit në Shijak është përkeqësuar edhe nga aktiviteti i fabrikave që operojnë në këtë zonë, duke e çuar situatën në nivele alarmante. Banorët raportojnë për vështirësi në frymëmarrje, erë të rëndë tymi dhe shqetësime shëndetësore të vazhdueshme, por deri më tani asnjë institucion nuk ka marrë masa për të ndaluar këtë katastrofë mjedisore.
Qytetarët e revoltuar kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, duke bërë thirrje për inspektime dhe ndëshkime ndaj atyre që lejojnë dhe kryejnë këto veprime të rrezikshme. Ata apelojnë për vëmendjen e qeverisë qendrore dhe organizatave mjedisore për të ndalur këtë krim ndaj mjedisit dhe shëndetit të tyre.
A do të reagojnë autoritetet për të ndalur këtë katastrofë ekologjike, apo qytetarët e Shijakut do të vazhdojnë të helmohen çdo ditë mes indiferencës institucionale?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



