E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pse po lulëzojnë bastet  pa liçensë të në gjithë vendin
Lajme

Pse po lulëzojnë bastet pa liçensë të në gjithë vendin

Qeveria hesht, lokalet punojnë!

Në fund të vitit 2018, qeveria shqiptare shpalli zyrtarisht fundin e epokës së basteve sportive dhe lojërave të fatit me vendimin për mbylljen e tyre të plotë. Por, vetëm pesë vjet më pas, me ndryshimet ligjore të miratuara në shkurt të vitit 2024, bastet sportive u rikthyen, këtë herë me kushtin që të funksionojnë vetëm online, nën një sistem të kontrolluar dhe të licencuar.

Sipas ligjit të ri, licencimi i kompanive që do të operojnë këtë treg do të bëhet nga një Komision i Licencave, i përbërë nga 7 anëtarë – pesë përfaqësues të ministrive dhe dy nga agjenci të ndryshme publike. Ky komision funksionon pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF). Por sot, më 28 mars 2025, një vit pas miratimit të ligjit, publiku nuk ka asnjë informacion zyrtar për ngritjen apo funksionimin real të këtij komisioni. Nuk dihen anëtarët, as vendimet që mund të kenë marrë, dhe mbi të gjitha: asnjë licencë nuk është publikuar.

Ligji detyron AMLF-në që procesin e licencimit ta shpallë publikisht në Buletinin e Njoftimeve Publike, si dhe në dy gazeta ndërkombëtare. Por deri më tani, asnjë publikim i tillë nuk është bërë.

Ndërkohë, në Tiranë po ndodh një tjetër realitet.

Në muajt e fundit, janë shtuar në mënyrë të ndjeshme pika që ngjajnë me pikat klasike të basteve: bare me logot “CR7”, “333” apo emra të tjerë, të cilat ofrojnë shikimin e ndeshjeve sportive, dhe – nëse kërkon të vësh një bast – shërbimi të ofrohet menjëherë.

Në këto ambiente ku “sporti” është vetëm mbulesë, bastet janë të pranishme dhe funksionojnë pa asnjë transparencë, në një hapësirë ligjore gri ku asgjë nuk është e lejuar, por gjithçka ndodh.

Kush po i lejon? Kush po i mbron?

Pyetja që ngrihet natyrshëm është: A ka hetuar ndonjëherë Policia e Shtetit apo AMLF se çfarë ndodh brenda këtyre pikave “sportive”?

Si është e mundur që ndërkohë që asnjë kompani nuk është licencuar, rrjeti i “investitorëve” ka nisur të zgjerojë aktivitetin me dhjetëra kontrata lokalesh, investime në brandim, logo dhe pajisje teknologjike?

Burime nga tregu flasin për një garanci të heshtur që disa biznese kanë marrë nga “lart”, që do të jenë pjesë e kompanive të para të licencuara sapo të nisë zyrtarisht procesi.

Dhe ndërkohë që publiku pret zyrtarizimin e listës së kompanive fituese, faktikisht bastet janë kthyer në terren dhe askush nuk po i ndal.

Ligji është kthyer në një fasadë, ndërsa bastet kanë marrë një formë të re, më të fshehur, më të pandëshkueshme dhe më të përhapur se kurrë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.