Reagim publik i Redi Muçit: Ortakëri imagjinare dhe sulme politike të porositura
Në ditët e fundit, disa portale dhe së fundmi edhe gazetarja Ola Xama kanë përhapur një pretendim se babai dhe xhaxhai im janë “ortakë të oligarkëve” që kanë ndërtuar në Ksamil, duke aluduar se unë paskam blerë vendin e parë në listën e Tiranës me paratë e tyre.
Dua të sqaroj: im atë zotëron 0.8% si pronar toke në një resort në Ksamil, një përqindje që i është dhënë në përpjekje për të kompensuar punën e papaguar që ai dhe xhaxhai im kryen në vitin 1996, si inxhinierë ndërtimi në një projekt që u braktis pas krizës së ’97-ës. Deri më sot, im atë nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga kjo “ortakëri”, që në të vërtetë është thjesht një pjesëmarrje e vjetër në një projekt të falimentuar dhe pa ndikim.
E gjithë kjo është bërë tym nga ata që realisht kanë lidhje me oligarkët dhe e përdorin gazetarinë për qëllime politike. Unë nuk kam frikë të përmend asnjë emër, nga Dulaku te Salillari, sepse jam krenar për prindërit e mi dhe për rrugën që kam ndjekur: me ndershmëri, transparencë dhe pa lidhje me botën e aferave të ndërtimit që sot ka kapur Shqipërinë.
E nëse kjo është “bomba investigative” që përdoret për të sulmuar Lëvizjen BASHKË, atëherë jam i qetë. Sepse të gjithë ne që jemi pjesë e kësaj lëvizjeje kemi një qëllim të qartë: t’i japim fund regjimit të oligarkëve dhe të ndërtojmë një politikë të drejtë e të ndershme.
Ecim përpara.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



