Partia e Arlind Qorit, ‘verbohet’ nga oligarkët
I pari në Tiranë kandidon, Redi Muçi, djali i ndërtuesit oligark
Në emër të luftës kundër oligarkëve, Lëvizja Bashkë vendos në krye të listës së Tiranës një përfaqësues të drejtpërdrejtë të sistemit që denoncon. Një histori e dyfishtë e parimeve dhe interesave.
Shqipëria ndodhet sot në një realitet të trishtë ku as programet, as ideologjitë dhe as premtimet e stërkonsumura elektorale nuk kanë më fuqinë të ndryshojnë rrjedhën. Kandidatët paraqiten si magjistarë me shkopin e premtimeve, ndërkohë që vendi rrezikon të rrëshqasë drejt një sistemi autokratik, ku meritokracia është përmbysur, korrupsioni është institucionalizuar dhe shteti është vënë në shërbim të një grushti të lidhur me pushtetin.
Në këtë sistem, ekonomia shqiptare është kapur nga disa duar të padukshme – biznesmenë të cilët, falë lidhjeve me pushtetin, kanë siguruar toka, leje, koncesione dhe tendera publikë. Dhe kur të bëhesh i pasur apo të mbetesh i varfër varet nga dëshira e udhëheqësit, nuk mund të flitet më për treg të lirë apo drejtësi sociale.

Në këtë sfond, Lëvizja Bashkë doli në pah si një zë ndryshe. Me një qëndrim të prerë kundër sistemit oligarkik, kjo forcë politike denoncoi ndërtimet e paligjshme, shkeljet urbanistike në Tiranë dhe lidhjet e errëta mes politikës dhe biznesit të madh gjatë fushatës për Zgjedhjet Vendore 2023.
Por pikërisht këtu qëndron edhe paradoksi. Në listën e saj për Tiranën në zgjedhjet parlamentare, i pari është renditur Redi Muçi – djali i Fredi Muçit, një ndërtues i njohur në kryeqytet, ortak në disa kompani ndërtimi dhe prodhimi betoni, përfshirë “Arameras” shpk. Kjo e fundit është ndërtuese e një resorti në Ksamil, në një zonë të mbrojtur, në një pronë të marrë me qira modeste si subjekt “i stimuluar” nga shteti.
Dokumentet/ Arlind Qori kandidon për deputet “oligarkun” në Ksamil! Redi Muçi zotëron aksione në resortin luksoz

Redi Muçi, i cili shfaqet duke predikuar nën gjurmët e Slavoj Zhizhek nuk figuron aspak pjesë e klasës punëtore, por rezulton familjarisht aksioner në “Arameras”.

Sipas dokumenteve, xhaxhai dhe babai i tij janë aksionerë në resortin lukzonë Ksamil me një përqindje të konsiderueshme pronësie kur bëhet fjalë për çmimin e resortit në fjalë.
Nga të dhënat e QKB, Fredi Muçi figuron ndërtues e përfitues në kompleksin në jug të vendit. Kujtojmë që Redi Muçi dhe Arlind Qori mund t’i kenë sulmuar oligarkët, por në listën e tyre mungon Artan Dulaku, ortakui kandidatit për deputet në kompleksin e Ksamilit.
Ndërsa janë ngritur pikëpyetje se si e ka zënë vendin e parë në listë Redi Muçi dhe a ka ndodhur kjo për shkak të financimit të të atit ndaj Lëvizjes Bashkë?





Fredi Muçi është gjithashtu ortak me vëllezërit Dulaku në kompaninë “Concord Investment”, një nga përfitueset më të mëdha të tokave me qira 1 euro, kontratave publike, tenderave dhe koncesioneve – pra pjesë përbërëse e sistemit oligarkik që Lëvizja Bashkë denoncon.
Për më tepër, në listën e Gjirokastrës është kandidate edhe motra e Redit, Stela Muçi. Kështu, një lëvizje që pretendon të përfaqësojë ndarjen nga elita e vjetër e korruptuar, në fakt hap rrugën që pasuria dhe ndikimi i trashëguar të konsolidohen edhe përmes politikës.
Sondazhet sugjerojnë që kjo forcë mund të marrë vetëm një mandat në Tiranë. Duke qenë se lista është e mbyllur, çdo votë për Lëvizjen Bashkë është votë për Redi Muçin – përfaqësuesin e drejtpërdrejtë të një prej familjeve më të lidhura me pushtetin dhe përfitimet nga ai.
Ky është momenti kur besimi thyhet. Jo për shkak të ndonjë programi paradoksal, apo mospërputhjeje ideologjike. Por sepse nëse qëllimi është çmontimi i sistemit oligarkik, nuk mund ta nisësh këtë betejë me fëmijët e atyre që e ndërtuan.
Në këtë pikë, Lëvizja Bashkë ndodhet para një pasqyre ku çdo retorikë bie poshtë, dhe ajo që mbetet është zgjedhja: a do të përfaqësojë vërtet një ndryshim, apo do të shërbejë si një tjetër fasadë për të ricikluar të njëjtin sistem me fytyra të reja?
Për të ilustruar më tej këtë çështje, më poshtë është një video që paraqet Arameras Beach Resort në Ksamil, ndërtuar nga kompania ku Fredi Muçi është aksioner:
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



