Shqipëria mbyt ushqimin me helme të ligjshme

2.9 milionë litra vaj palme.

Jo për sapun, jo për bojë makinash, por për… qumështin që u jepni fëmijëve.

Në vitin 2024, Shqipëria importoi një sasi rekord vaji palme, që përfundoi në industrinë e qumështit të ambalazhuar dhe nënprodukteve të tij – djathë, kos, dhallë, gjalpë. Gjithçka që konsumohet çdo ditë në çdo tryezë shqiptare.

Përballë mungesës së qumështit të freskët dhe një zinxhiri prodhimi që po shkon drejt kolapsit nga shpopullimi i fshatit dhe shfarosja e gjedhëve, industria ka zgjedhur rrugën më të lirë: shtesat artificiale që vrasin ngadalë.

Ekspertët e sigurisë ushqimore japin alarmin: vaji i palmës, i importuar masivisht për shkak të kostos së ulët, përdoret për të fryrë produktet, për të ulur çmimin dhe për të mashtruar konsumatorin. Në vend të qumështit natyral – një përzierje industriale pa identitet, pa vlera ushqyese dhe me pasoja të rënda për shëndetin publik.

Qumështi shqiptar nuk është më shqiptar. Është një miks kimik që kalon si “produkt vendi” ndërsa në të vërtetë është një përzierje helmesh të ligjshme. Dhe më e keqja? Kjo bëhet pa asnjë transparencë, pa asnjë paralajmërim në etiketë, ndërsa AKU dhe Ministria e Bujqësisë janë zhytur në një heshtje kriminale.

Ushqimi që po na vret

Rasti i vajit të palmës është vetëm maja e një akulli helmues. Shqipëria është përmbytur nga produktet ushqimore të kontaminuara:

•Mish pule me salmonelë në KFC

•27 tonë mish të prishur të konfiskuar

•Peshk me parazit që shitet si i freskët

•13.2 ton akullore me oksid etileni – substancë kancerogjene

•Qumësht e dhallë të prishur nga kompania “Lufra”

Eksperti i kimisë, Sokol Abazi, paralajmëron se shumë prej produkteve që konsumojmë përditë – nga brioshët, drithërat, vajrat, deri te bimët medicinale – mbajnë në vete substanca toksike që shkaktojnë kancer, infertilitet, dëmtime nervore dhe çrregullime të sistemit imunitar.

Institucionet: Notere të vdekjes me vulë shtetërore

Ndërsa populli shfaroset nga goja, institucionet përgjegjëse bëjnë sikur nuk shohin, nuk dëgjojnë, nuk flasin. AKU, që duhet të jetë gardiani i sigurisë ushqimore, është shndërruar në një dekor zyre me vula që certifikojnë gjithçka – përveç shëndetit.

Mosveprimi i Ministrisë së Bujqësisë përballë këtyre skandaleve është një krim institucional me pasoja të përhershme për shëndetin publik.

Nuk është më vetëm çështje sigurie ushqimore – është një çështje kombëtare. Sepse kur ushqimi shndërrohet në armë të heshtur, atëherë vetë shteti është bashkëfajtor në vrasjen masive të ngadaltë të një kombi.

Publik.al do të vijojë hetimin me fakte, laboratorë, emra kompanish dhe rrjete importi.

Ky është vetëm fillimi. Nëse ke informacion, denonco. Nëse je qytetar, mbro veten.

Nëse je në qeveri – mos harro që edhe ti ke fëmijë./ Albert Mero

Publikuar nga Publik Media