Gjykata e Beratit transferon për kompetencë dosjen e pezullimit të kreut të AMP-së në Tiranë

Sot, në një seancë gjyqësore të tensionuar dhe të mbushur me debate në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Berat, u la në fuqi masa e pezullimit nga detyra për kreun e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre” për një transferim të zakonshëm administrativ. Seanca u zhvillua me prezencën e gjyqtarit, prokurorit dhe avokatit të oficerit të transferuar – një treshe që veproi në unison për të çuar përpara një vendim të paprecedentë, pa asnjë provë reale penale.

Prokuroria e Beratit u paraqit në gjykatë me një shkresë administrative të thjeshtë, që i përkiste datës 9 prill, e cila përmbante urdhrin e transferimit të një oficeri të Policisë Gjyqësore. Asnjë provë tjetër. Asnjë dëshmi. Vetëm një dokument zyrtar, që është pjesë e kompetencës ligjore të drejtorit të AMP-së.

Në fund të seancës, ndonëse e paarsyeshme dhe e pajustifikuar në bazë të ligjit, u vendos lënia në fuqi e masës së pezullimit, ndërsa dosja iu kalua për kompetencë Gjykatës dhe Prokurorisë së Tiranës.

Florian Sulejmani nuk mund të ushtrojë më detyrën e tij si Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, deri në përfundim të hetimeve për procedimin penal nr. 179, i nisur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.

Ankimi i tij për t’u rikthyer në detyrë është rrëzuar këtë të hënë, ndërsa pezullimi është lënë në fuqi. Ajo që e bën këtë vendim të diskutueshëm është pika 5 e tij, ku e njëjta gjykatë që vendosi pezullimin, ka shpallur njëkohësisht moskompetencën për çështjen.

PËR KËTO ARSYE
Bazuar në nenet 228, 229, 242, 248 të Kodit të Procedurës Penale dhe nenin 248 të Kodit Penal,
VENDOSI:

  1. Vazhimin e masës së sigurimit personal ndalues të “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, e parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim Florian Sulejmani, i datëlindjes 20.12.1977, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
  2. Ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat dhe Policia Gjyqësore Berat të zbatojë këtë vendim.
  3. Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.
  4. Kundër këtij vendimi (i cili sipas nenit 248 i KPP do të depozitohet i arsyetuar brenda 48 orëve) lejohet të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 5 (pesë) ditëve, afat ky që fillon nga e nesërmja e ditës së njoftimit të këtij vendimi.
  5. Shpalljen e moskompetencës tokësore të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, në lidhje me çështjen penale me Nr. 179 Regj.Them., Dt.Regj.Them 17.04.2025.
  6. Dërgimin e aktëve Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë si gjykatë kompetente tokësore për gjykimin e kësaj çështjeje.

U shpall në Berat, datë 21.04.2025!

 

 

Publikuar nga Publik Media