Armand Shkullaku: Socialistët kanë 12 vite që votojnë Ramën dhe marrin banditë

Rama nuk ka më asnjë alternativë për shqiptarët

Në një debat të tensionuar në emisionin “Çim Peka LIVE” në SYRI TV, gazetari Armand Shkullaku ka sulmuar ashpër qeverisjen e Edi Ramës dhe degradimin e Partisë Socialiste në 12 vitet e fundit. Sipas tij, Rama nuk ka më asnjë alternativë për t’u ofruar qytetarëve, përveçse të rikthejë të njëjtin refren të konsumuar të së kaluarës.

“Këta kanë 30 vite, por sidomos në 12 vitet e fundit që votojnë për një parti të majtë, votojnë për socialistë dhe marrin për këmbim, banditë, hajdutë dhe fytyra të panjohura.” – u shpreh prerazi Shkullaku.

Ai theksoi se shqiptarët që vazhdojnë të votojnë Partinë Socialiste, në fakt nuk përfaqësohen nga vlerat e majta, por nga emisarë të krimit, hajdutë dhe klientë të vetë kryeministrit.

“Votojnë PS dhe marrin banditë. Marrin ato që ju cakton Edi Rama dhe në rastin më të mirë marrin atë që u cakton Edi Rama.”

Shkullaku kritikoi fort edhe mënyrën e Ramës për të zhvilluar fushatat elektorale, duke theksuar se prej tre zgjedhjesh të njëpasnjëshme, strategjia e tij është të justifikohet me të kaluarën dhe të fajësojë Sali Berishën për gjithçka.

“Është 2025 dhe njerëzit kërkojnë llogaridhënie dhe transparencë për paratë që i kanë besuar, të paktën në 4 vitet e fundit. Dhe ne këto para i dimë se ku i ka çuar. Edhe njerëzit e dinë. Të tallesh me këtë është tallje me ata që të votojnë.” – përfundoi gazetari.

Deklarata e Shkullakut është një tjetër sinjal i fortë i pakënaqësisë së thellë me pushtetin aktual dhe mënyrën arrogante të komunikimit politik të kryeministrit. Në një kohë kur shqiptarët kërkojnë përgjigje për korrupsionin, tenderat, koncesionet dhe mungesën e drejtësisë, Rama, sipas Shkullakut, vazhdon të sillet sikur është ende në opozitë.

Publikuar nga Publik Media