Argjentina, vendlindja e Papa Françeskut, në zi kombëtare njëjavore

Argjentina do të mbajë zi për vdekjen e papa Françeskut për shtatë ditë, tha qeveria në një postim në X, disa orë pas vdekjes së papës, i cili u lind në Buenos Aires.

“Argjentina, një vend me një traditë të gjatë katolike dhe atdheu i papa Françeskut, shpreh keqardhje të thellë për vdekjen e Shenjtërisë së Tij dhe ngushëllon familjen Bergoglio”, thuhet në deklaratë.

Zëdhënësi i qeverisë, Manuel Adorni shpalli një periudhë zi kombëtare prej shtatë ditësh.

“Me pikëllim të thellë mësova këtë mëngjes se papa Françesku, Jorge Bergoglio, ndërroi jetë sot dhe tani po prehet në paqe”, tha presidenti argjentinas, Javier Milei në një postim në X.

“Me gjithë dallimet që duken të vogla sot, ishte një nder i madh për mua ta njoh atë në mirësinë dhe mençurinë e tij”, theksoi ai.

Ultraliberali Milei kishte prej kohësh një marrëdhënie të tensionuar me papën.

Para se të merrte detyrën, Milei e kishte quajtur Françeskun një “budalla” dhe pretendonte se ai po promovonte komunizmin.

Papa Françesku priti Milei në Vatikan në shkurt të vitit të kaluar dhe pas takimit të tyre iu referua “bisedime të përzemërta”.

Milei gjithashtu e ftoi papën të vizitonte Argjentinën, por Françesku, ish-kryepeshkop i Buenos Airesit, nuk u kthye në Argjentinë pasi u bë papë.

Publikuar nga Publik Media