Kreu i partisë Mundësia, Agron Shehaj, nga një shkollë në “Shkozë”, e cila po shërben për numërimin e votave tha se ishte i zhgënjyer nga rezultati i deritanishëm i zgjedhjeve. Shehaj tha se partia Mundësia ka pasur një rezultat të mirë në kryeqytet, ku pretendon të marrë mandatin e dytë, por shtoi se në fshatra rezultati nuk ishte aspak i mirë. Ai u pyet nëse do të pranonte zgjedhjet, por tha: “pak rëndësi ka se çfarë themi ne”.
“I zhgënjyer. Ishte nën pritshmëritë. Duhet thënë se kemi një rezultat shumë më të mirë në Tiranë dhe qytete, kurse në fshatra rezultati nuk ishte aspak i mirë. Jemi shumë afër një tjetër mandati dhe jemi këtu në çdo qendër numërimi për të luftuar për çdo votë, që çdo votë e Partisë Mundësia të numërohen të gjitha.
Ne jemi një parti e re 10 muaj që kemi ekzistuar. Nuk kemi struktura si partitë e reja. Në fshatra informacioni nuk ka shkuar, nuk na kanë kuptuar. Shiko ne jemi të vetëdijshëm që garojmë në Shqipëri, ku nuk jemi aspak në kushte të barabarta. Nuk ka shkuar gjithçka, çfarë nuk ka shkuar në zgjedhjet e mëparshme. Por, ne nuk duhet të japim justifikime, ne duhet të gjejmë një zgjidhje”, tha Shehaj.