Ndërkohë që gara për listën e hapur vijon, një pjesë e mirë e politikanëve të vjetër – disa prej tyre emblema të sistemit të kaluar – kanë marrë një goditje të heshtur por të qartë: mungesën e mbështetjes direkte nga votuesit.
Në zgjedhjet e 11 majit, 17 figura të njohura rezultojnë me numrin më të ulët të votave preferenciale, duke u lënë jashtë çdo gare reale për mandat. Të paktën nga numërimi deri tani.
Në listën e socialistëve në Tiranë, bie në sy performanca minimale e Etjen Xhafajt me vetëm 463 vota dhe Arben Pëllumbit me 806, të ndjekur nga Toni Gogu (1326). Edhe pse nuk i kemi futur në listë, emra si Mimi Kodheli, Pandeli Majko, Plarent Ndreca apo Ermonela Felaj kanë marrë më pak vota nga sa pritej. Pasi emra si Goxhe, Hoxha apo Braçe kanë nga 8-13 mijë vota.
Në kampin opozitar, situata nuk është më e ndritshme. Sali Shehu ka marrë vetëm 763 vota, ndërsa Kreshnik Çollaku 730. Julia Ilirjani është thuajse inekzistente me vetëm 195 vota.
Ndërkohë që te partitë e vogla dështimi është edhe më i thellë: Lulzim Basha i Koalicionit Euroatlantik ka marrë vetëm 736 vota, ndërsa Enkelejd Alibeaj – 151 vota, duke u renditur ndër më të votuarit negativisht në historinë e zgjedhjeve moderne. Dashamir Shehi ka marrë vetëm 297 vota, ndonëse ka mbi 30 vite në politikë.
Ndër kandidatët e PD-së që nuk ia dolën është edhe Edmond Spaho, i cili me 2.479 vota përfundoi i shtati në garën për listën e hapur në Korçë, duke mbetur jashtë Parlamentit.
Lista e hapur ka prodhuar një efekt të drejtpërdrejtë: filtrimin e klasës politike. Aty ku dikur mjaftonte një vend në listën e mbyllur, sot kërkohet mbështetje reale. Dhe ajo, siç tregojnë shifrat, ka munguar plotësisht për një pjesë të madhe të atyre që ende mendojnë se janë faktorë në politikën shqiptare.
Emrat më pak të votuar
1. PS- Toni Gogu 1326 vota
2. PS- Halit Valteri 1216 vota
3. PS- Endrit Braimllari 1037 vota
4. PS- Arben Pëllumbi, 806 vota
5. PS- Etjen Xhafaj, 463 vota
6. PD- Dhurata çupi(Tyli), 1403 vota
7. Edit Harxhi, 1206 vota
8. Shpëtim Idrizi, 1083 vota
9. Akil Kraja, 901 vota vota
10. Altin Goxhaj, 862 vota
11. PD- Sali Shehu, 763 vota
12. PD- Kreshnik Çollaku, 730 vota
13. PD- Julia Ilirjani, 195 vota
14. Euroatlantik- Lulzim Basha, 736 vota
15. Djathtas për Zhvillim- Dashamir Shehi, 297 vota
16. Djathtas për Zhvillim- Enkelejd Alibeaj, 151 vota
17. PD- Edmond Spaho,2479 vota, ndër më pak të votuarit në Korçë