Barcelona shpallet kampione e La Ligës për herë të 28-të

Barcelona është shpallur zyrtarisht kampione e Spanjës për sezonin 2024/25, pas një fitoreje të rëndësishme në derbin katalanas kundër Espanyolit, me rezultat 2-0, në kuadër të javës së 36-të të La Ligës.

Ylli i mbrëmjes ishte sërish adoleshenti Lamine Yamal, i cili realizoi një supergol në minutën e 48-të, me anë të një goditje spektakolare të harkuar nga distanca, duke e dërguar topin në trekëndëshin e portës. Ky moment magjik i 17-vjeçarit vendosi fatin e derbit dhe hodhi themelet e fitores që u kurorëzua në fund me titullin kampion.

Pavarësisht disa rasteve të rrezikshme nga Espanyoli në pjesën e parë, veçanërisht nga Gonzales dhe Puado, ata nuk arritën të gjenin rrjetën. Barcelona, me një lojë të matur dhe efikase, e shfrytëzoi më së miri momentin kur i’u dha rasti.

Në minutën e 80-të, Espanyoli mbeti me 10 lojtarë pas përjashtimit me karton të kuq të Leandro Cabrera. Në kohën shtesë, Fermin Lopez shënoi golin e dytë për Barcelonën, duke vulosur fitoren në këtë përballje të zjarrtë.

Kjo fitore e çon Barcelonën në kuotën e 85 pikëve, shtatë më shumë se Real Madridi, kur kanë mbetur edhe vetëm dy javë deri në përfundim të kampionatit.

Trajneri Hansi Flick rikthen trofeun në “Camp Nou” në sezonin e tij të parë në krye të skuadrës, ndërsa Barcelona fiton titullin e 28-të në historinë e saj në La Liga.

Një sezon i artë për katalanasit, me emra si Lamine Yamal, Pedri, Lewandowski, Raphinha, Frenkie de Jong dhe Pau Cubarsi që kanë qenë vendimtarë në këtë rrugëtim drejt lavdisë. Barça dërgon një mesazh të qartë për rivalët: është rikthyer dhe është e gatshme për të nisur një epokë të re triumfesh.

Publikuar nga Publik Media