Pas disa orësh diskutimesh dhe fjalimesh nga liderët europianë, Samiti i Komunitetit Politik Evropian në Tiranë ka përfunduar. Konferenca për shtyp u mbajt nga Kryeministri Edi Rama dhe homologia e tij daneze, Mette Frederiksen, vendi që do të presë samitin e ardhshëm.
Rama e përshkroi samitin si një ditë të frytshme, por në stilin e tij karakteristik nuk harroi të marrë edhe rolin e “liderit global”, duke dhënë këshilla për mënyrën se si Europa duhet të sillet ndaj luftës në Ukrainë.
Ai theksoi se Europa duhet të investojë më shumë në mbrojtje, por pa humbur idealin për të cilin u themelua Bashkimi Europian: paqen.
“Europa duhet të bëjë më shumë për mbrojtjen e saj. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër lidhet me vetë identitetin e Europës. BE është produkt i ëndrrës së paqes; armiqtë e djeshëm janë kthyer në aleatë strategjikë. Ndaj duhet të përmbushim detyrat tona për të mbrojtur territorin. Ka një pikëpyetje të madhe: pse duhej të vinte Trump për të marrë nismën e armëpushimit dhe paqe? Ndoshta sepse ne ishim shumë të përqendruar dhe shumë të apasionuar pas një kauze shumë të drejtë dhe të duhur, por ne humbëm terren kur vjen fjala në diplomaci. Fjala ime është për Europën ideale, të cilën nuk duhet ta humbasim nga sytë. Sepse nëse e humbasim nga sytë, humbasim diçka që i bën territoret tona më pak me vlerë për tu mbrojtur. Ky është mendimi im dhe nuk ka asnjë kontradiktë. Jemi socialistë dhe ky është këndvështrimi im”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare njoftoi edhe krijimin e një “skuadre bashkërenduese” të KPE, që do të jetë nën kujdesin e Presidentit të Këshillit Europian – një hap drejt një koordinimi më të organizuar midis vendeve pjesëmarrëse.
“Diskutuam për të forcuar bashkëpunimin, për të mbrojtur vlerat dhe parimet që mishërojnë shoqëritë tona, për të investuar më shumë në iniciativa evropiane, edhe në ato vende që nuk janë pjesë e BE-së – dhe që, siç u shpreh Rama, ‘nuk do të bëhen ndonjëherë’. Tryezat e rrumbullakë, temat dhe përfundimet do të ndiqen më tej nga pala daneze. Ky ishte thelbi i asaj që u arrit sot”, përfundoi ai.
Nga ana e saj, Kryeministrja daneze Mette Frederiksen theksoi se kërcënimi më i madh për Europën është Rusia, ndërsa në samitin e radhës prioritet do të jetë siguria dhe riarmatimi europian.
“Ka qenë një mikpritje e ngrohtë. Europa po përballet me sfida të mëdha dhe siguria do të jetë çështja kryesore. Rusia është një kërcënim real, sidomos përmes sulmeve kibernetike që synojnë të dëmtojnë demokracinë tonë. Duhet të nxisim më shumë sanksione ndaj saj. Jemi një treg i madh dhe duhet të mbrojmë konkurrueshmërinë tonë, përfshirë energjinë me kosto të ulët dhe tranzicionin e gjelbër”, tha Frederiksen.
Në fund të konferencës, Rama u pyet nga gazetarët mbi rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit dhe u përgjigj shkurt: “Rezultati është 100% vullneti i popullit shqiptar.”