“Skapi i Dumanit heshti para krimit zgjedhor”/ Berisha nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve: Farsa më e turpshme e 32 viteve pluralizëm

Sali Berisha nuk tërhiqet nga akuzat se zgjedhjet e 11 majit janë grabitur.Në një deklaratë për mediat, kreu i PD hedh akuza edhe për kreun e SPAK Altin Dumani, për të cilin thotë se heshti para denoncimeve për krime zgjedhore. Berisha zgjedhjet i quan “farsën më të turpshme të 32 viteve pluralizëm”.“Të dashur qytetare dhe qytetarë, zgjedhjet nuk ishin. Kjo ishte një farsë e turpshme elektorale. Më e turpshmja në historinë 32-vjeçare të pluralizmit në Shqipëri. Në këto zgjedhje, si kurrë më parë, shteti i tërë doli lakuriq në tërë shëmtinë e tij kundër qytetarëve. Për të bërë presione nga më të ndryshmet, përdori të gjitha mjetet te tij, përdori nëpunësit e tij për forma nga më të ndryshme presioni.

Ndaj të dashur qytetarë dijeni se me 11 Maj ka ndodhur një gjëmë e madhe për demokracinë shqiptare. Referojuni këtij dokumenti ndërkombëtar, dokumentit të Kopenhagenit, i detyrueshëm për çdo vend demokratik që zhvillon zgjedhje dhe zgjedh qeverinë me votën e qytetarëve.Kurrë ndonjëherë, një parti e transformuar në shtet dhe mafie nuk është vërsulur më me egërsi ndaj qytetarëve shqiptarë siç është vërsulur narkoshteti i Edi Ramës. Ndaj ju lutem lexoni pikën 5, fraksion 4 të dokumentit të Kopenhagenit. Tjetër, Shqipëria është zotuar sipas pikës 5, 5, se veprimtaria e qeverisë dhe administratës, si dhe e sistemit të drejtësisë, do ushtrohen në përputhje me sistemin e vendosur me ligj dhe në respekt të atij sistemi.E morët vesh ju se si veproi administrata gjatë këtij procesi, se si e mbylli gojën, se si shërbeu si shpifë e partisë, Skapi i Dumanit, se si heshti para dhjetëra e dhjetëra padive, para veprimtarisë më të egër kriminale të bandave. E morët vesh ju se si sistemi i drejtësisë u përdor për të burgosur liderët e tre partive kryesore opozitare dhe marrë mandate të tjera.Për të ushtruar terror politik mbi opozitën. Zgjedhjet pra nuk ishin, ishte një farsë. Dhe ata që duan të hanë turpin me bukë i quajnë zgjedhje këto. Këto ishin farsë elektorale ku u shkelën parimet më themelore. Tjetër, sistemi i ngritur nga Edi Rama është absolutisht antidemokratik. Çfarë thotë karta e Kopenhagenit?Palët lejojnë që të gjitha vendet në një dhomë në legjislaturën kombëtare të zgjidhen në garë të lirë me votën popullore. Pra, kërkon që të gjithë ata që ulen në parlament, t’i jenë nënshtruar një gare të hapur, të lirë, jo me lista, por secili me vend. Pra, kjo ishte një farsë antidemokratike fund e krye.Palët kanë detyrimin t’u japin mundësi të gjithë forcave politike, garanci të plota ligjore, të garojnë me njëra-tjetrën mbi bazën e trajtimit të barabartë para ligjit dhe autoriteteve. Se cila është barazia në këto zgjedhje, kur njëra palë shpërndan 500 milionë euro prokurime dhe koncesione.76 milionë euro bonus për vota. 200 milionë euro gjoba të falura për vota. Miliona e miliona rrënjë kanabis, nga të cilat, secila është 1 mijë euro, për vota. Tani ju e merrni me mend se çfarë farsë e shpifur ishte kjo.Mbetemi tek ajo fjala e mikut tim, që dekada më parë vëzhgova zgjedhjet në Zimbabve, ku diktatori Mugabe zhvilloi zgjedhje të njëjta me këto në Tiranë. Nuk ma priste mendja kurrë që në vitin 2025 të shihja zgjedhje të tilla në Tiranë, do më thoshte një miku im i shquar”-u shpreh Berisha.

Publikuar nga Publik Media