Anuela Ristani u jep 1.6 miliardë lekë firmës së Habilajve pa licencë
Torta 1.6 miliardëshe e Bashkisë Tiranë: Kush e ndau dhe kush mbeti pa asgjë
Një tender i Bashkisë Tiranë me vlerë 1.6 miliardë lekë (pa TVSH) do të kishte kaluar në heshtje, nëse një nga 18 garuesit, kompania “A & E Engineering” shpk, nuk do të ngrinte zërin në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP). Por pas kësaj ankese, nisi të shpërbëhej fasada e një tjetër prokurimi me aromë klienteliste.
Tenderi për “Studime dhe Projekte të Objekteve Sociale”, i finalizuar në maj 2025, u hartua nga ish-kryebashkiaku Erion Veliaj më 18 mars 2024 dhe qëndroi i kyçur në sirtar deri pas arrestimit të tij. Ishte pasuesja Anuela Ristani ajo që më në fund e finalizoi nën zhurmën e zgjedhjeve, do të kishte kaluar pa u ndjerë, po të mos ishte ankuar një nga 18 pjesëmarrësit që mbeti i pakënaqur. Janë 1,6 miliardë lekë pa llogaritur TVSH që bashkia Tiranë i jep me anë të këtij prokurimi për studime e projekte të objekteve sociale.

Këto lekë për momentin po shkojnë në arkën bashkimit të kompanive të kryesuara nga “ARTECH GROUP” shpk, pronë e Lejkë Habilajt dhe Gjergji Habilajt, që kryesojnë me pikë një listë me 16 kompani të shpallura fituese.
Fituesit: Të njëjtët emra, të njëjtat lidhje
Në krye të listës së përfituesve ndodhet bashkimi i kompanive “ARTECH GROUP” shpk, “A.SH. ENGINERING” shpk dhe “X-PLAN” shpk, të vlerësuar me 273.8 pikë – më shumë se çdo tjetër. Por përtej emrave teknikë, rezulton se:
- “ARTECH GROUP”, në pronësi të Lejkë dhe Gjergji Habilajt, nuk ka asnjë licencë aktive sipas QKB dhe raportoi humbje të vazhdueshme në tre vitet e fundit – duke mos përmbushur kushtet për pjesëmarrje në tender publik.
- “A.SH. ENGINERING” është një emër i vjetër në listën e klientëve të Veliajt. Pronare është Arian Shtëmbari, ndërsa drejtues teknik është Edmond Sheshi, një person i përmendur më herët nga opozita për lidhje me skandalin e inceneratorëve dhe evazion fiskal.
- “X-PLAN STUDIO”, e Ornela Muçajt, njohu rritje të ndjeshme të të ardhurave pikërisht gjatë projekteve të Rindërtimit, të shpërndara me shpejtësi gjatë pandemisë.
❗Kush u ankua në KPP dhe pse?
Në datën 21 maj 2025 nëpërmjet sistemit të ankesave elektronike pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) është administruar ankesa e operatorit ekonomik “A & E ENGINEERING” SHPK për tenderin e bashkisë Tiranë me objekt “Studim Projektime në Programin e Shërbimeve Publike Vendore”.

Duket e çuditshme përse është lënë jashtë tortës kompania ankuese që është pronë e Entela Çanos, që kolaudon punët e oligarkëve. Emri i saj shfaqet në raportet e KLSH për mbikëqyrjen e punimeve të pakryera. Entela Çano është administratore dhe pronare e vetme e kompanisë “A & E Engeniering”, e cila ka fituar dy tenderat nga ARRSH për të mbikëqyrur punimet e kompanisë së Agim Kolës ANK për dy pjesët e lotit 2 të rrugës Korçë-Ersekë. Pasi u shembën disa pjesë të rrugës para inaugurimit, SPAK regjistroi një çështje hetimore.
Kompania kërkon shfuqizimin e vendimit tё Komisionit të Vlerësimit të Ofertave lidhur me vlerësimin me pikë të propozimeve teknike të paraqitura nga operatori ekonomik “A & E ENGINEERING” SHPK në procedurën e prokurimit “Shërbim konsulence, (Marrëveshje Kuadër me disa Operatorë Ekonomikë, me kushte të papërcaktuara)”.
“A & E ENGINEERING”, kompania e përjashtuar, ka si pronare Entela Çanon, e njohur si kolauduese e shumë prej punëve publike të kompanive oligarke. Emri i saj figuron edhe në raportet e KLSH për mbikëqyrje punimesh të pakryera, ndërsa ka qenë mbikëqyrëse edhe e rrugës Korçë-Ersekë, që u shemb përpara inaugurimit – çështje tashmë nën hetim nga SPAK.
Në ankesën e dorëzuar në KPP, Çano pretendon se është diskriminuar padrejtësisht dhe se propozimi teknik i firmës së saj u vlerësua në mënyrë të padrejtë, pavarësisht përmbushjes së të gjitha kritereve.
Por ajo që ngre më shumë pikëpyetje është se kompania ankuese nuk ka paguar ende tarifën për shqyrtimin e ankesës një detaj që mund ta çbëjë gjithë procesin.
Një histori e njohur
Lista e përfituesve të tenderit përfshin një puzzle emrash të njohur nga tenderat e rindërtimit, projekte të qeverisë dhe bashkisë:
- ATELIER 4 e Alban Efthimiut – arkitekt personal i Ramës
- Spahera shpk e Ajkid Topores – emër i përmendur në dosjen e Vangjush Dakos në SPAK
- ARABEL-STUDIO e Ana Nishkut – gjithashtu nën hetim nga SPAK
- KLAJGER KONSTRUKSION e Sadik Lumit – një nga përfituesit më të mëdhenj të Veliajt
- CIVIL CONS, e themeluar nga ish-deputeti Lefter Gështenja
- Kush do ta marrë pjesën më të madhe të fondit?
Në njoftimin e fituesve bashkia Tiranë ka renditur 16 studio dhe kompani, ku e para me pikë është bashkimi i operatorëve “ARTECH GROUP” shpk & “A.SH. ENGINERING” shpk & “X-PLAN” shpk. Ky grup ka marrë 273.8 pikë dhe është më i vlerësuari nga komisioni i Anuela Ristanit.

Gjithçka duket e rregullt, por ta gërvishtësh pak sipërfaqen del se procedura është fiktive. “ARTECH GROUP” shpk sipas verifikimit që bëmë në QKB, nuk ka asnjë licencë aktive deri datën e sotme.

Nga ana tjetër kompania ndodhet në vështirësi financiare duke raportuar humbje prej vitesh.


Referuar pasqyrave financiare të tre viteve të fundit kjo kompani nuk plotëson kushtet që të kualifikohet në tenderat publikë.
Bashkimi me dy kompani të tjera nuk sjell ndonjë ndryshim në plotësimin e kushteve të tenderit. Kështu, “A.SH. ENGINERING” shpk është pronë e Arian Shtëmbarit, një kliente e vjetër e tenderave të Veliajt për kolaudime dhe mbikëqyrje punimesh, sidomos ato të Rindërtimit pas tërmetit. Xhiroja e saj vjetore në tre vitet e fundit është mesatarisht 10 000 000 lekë. Kjo kompani ka si drejtues teknik Edmond Sheshin, një emër që opozita e ka denoncuar për lidhje me inceneratorët. Më parë ky person ka pasur nën administrim kompaninë “BestService”, e cila u pezullua për evazion fiskal.

Ndërsa kompania e tretë e grupit fitues është “X-PLAN STUDIO” shpk e Ornela Muçajt. Kulmi i të ardhurave të kësaj firme u shënua gjatë pandemisë kur u fut në listën e qeverisë për projektet e Rindërtimit.
Lista vazhdon me kompani të tjera si MF INVEST GROUP, CEC GROUP, INFRATECH, ENGINEERING CONSULTING GROUP, dhe INSTITUTI DEKLIADA, të gjitha të lidhura me emra të ricikluar në tenderat publikë.
Fondi: 159 milionë lekë për 2 vite
Tenderi ka një fond limit prej 159,159,332 lekësh, për projekte që përfshijnë objekte sociale, salla mbledhjesh, parkime dhe infrastruktura të tjera, të shpërndara për një periudhë dyvjeçare.
Në letër, çdo gjë duket ligjore dhe procedurale – por një zhvendosje e thjeshtë e llupës mbi fituesit dhe praktikat e ndjekura zbulon një model të njohur të ndarjes së fondeve publike mes klientëve të zakonshëm.
Konflikt mes klientëve apo grua-grindje e “Rilindjes”?
Në thelb, kemi të bëjmë me një konflikt të brendshëm në kampin e përfituesve, ku një pjesë është lënë jashtë lojës. Nuk është një garë e hapur e lirë, por një ndarje me emra të përzgjedhur, ku humbësi nuk është qytetari, por ndonjë nga “të përkëdhelurit” që këtë herë mbeti pa gjë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



