SPAK kontroll banesës së deputetit të PS-së në Elbasan!

Prokurorja e posaçme Dorina Bejko ka urdhëruar katër kontrolle banesash dhe ambientesh të tjera, të kryera ditët e fundit, ku subjekt i hetimit janë persona të dyshuar për përfshirje në korrupsion zgjedhor. Mes të hetuarve është edhe një zyrtar pranë Bashkisë Elbasan, të cilit i është sekuestruar celulari, në kuadër të hetimeve për blerje votash.

Sipas të dhënave të para, ky zyrtar dyshohet se ka qenë i përfshirë në skema blerjeje votash në favor të një kandidati të Partisë Socialiste nga lista e hapur. Edhe pse emri i kandidatit nuk është bërë publik nga SPAK, dyshimet janë të forta për manipulim të qëllimshëm të rezultatit zgjedhor.

Paralelisht, një tjetër operacion është zhvilluar me urdhër të një prokuroreje tjetër të posaçme, ku në një banesë në Belsh janë sekuestruar rreth 200 mijë euro. Kjo shumë konsiderohet si provë e mundshme për një tjetër rast të blerjes së votave, duke çuar hetuesit drejt dyshimeve për një rrjet të organizuar që ka synuar deformimin e vullnetit të votuesve përmes pagesave dhe presioneve.

SPAK konfirmon se këto janë dy procedime penale të ndara, por që lidhen me të njëjtën natyrë shkeljesh, blerje votash dhe kërcënim ndaj votuesve. Ndërkohë, strukturat hetimore po vijojnë me analizën e provave dhe informacionit të mbledhur për të ndëshkuar të gjithë personat e përfshirë, pavarësisht funksionit apo përkatësisë politike.

Publikuar nga Publik Media