Policia e Pogradecit ka arrestuar një shtetas me rrezikshmëri shoqërore pasi u kap në flagrancë teksa posedonte armë, municion luftarak dhe lëndë narkotike e tipit kokainë.
Në pranga ka rënë shtetasi 27-vjeçar i identifikuar si Fabian Muçollari të cilit iu sekuestrua edhe automjeti që qarkullonte.
“Gjatë operacionit, shërbimet Operacionale të DVP Korçë kapën dhe vunë në pranga shtetasin F. M., 27 vjeç, banues në Pogradec, me rrezikshmëri shoqërore. Gjatë kontrollit fizik, kontrollit të automjetit dhe kontrollit të banesës në lagjen nr. 1, Pogradec, shtetasit F. M. iu gjetën në një çantë krahu një shufër metalike me mbishkrimin “Policia”, 2 armë zjarri pistoletë, 1 silenciator, 3 krehra, 1 shkop metalik, një pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, 5 aparate celularë, 2 karta banke, 1 pasaportë biometrike dhe një shumë parash (lekë, euro dhe dollarë australianë). Gjithashtu u sekuestrua dhe automjeti i tij”,njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.