SHBA sulmon Iranin, Trump: Goditëm 3 objekte bërthamore

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara kanë kryer me sukses sulme ndaj tre objekteve bërthamore në Iran: Fordo, Natanz dhe Esfahan.

Të shtunën mbrëma, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer një sulm ajror të koordinuar ndaj tre impianteve bërthamore iraniane: Fordow, Natanz dhe Esfahan.

Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi lajmin përmes rrjetit të tij social Truth, duke deklaruar: “Kemi përfunduar me sukses sulmin ndaj tre objekteve bërthamore. Të gjitha avionët tanë janë larguar nga hapësira ajrore iraniane dhe janë në rrugë të sigurt drejt bazave. Fordow, objekti kryesor, është goditur me një ngarkesë të plotë bombash. Asnjë ushtri tjetër në botë nuk do të kishte mundur ta bënte këtë. Tani është koha për paqe”.

Pas këtij deklarimi, një llogari e lidhur me Gardën Revolucionare iraniane publikoi në platformën X: “Tani ka nisur lufta”, duke e konsideruar sulmin amerikan një akt lufte të mirëfilltë.

Në një fjalim të shkurtër nga Shtëpia e Bardhë, Trump sqaroi se sulmi kishte për qëllim ndalimin e kërcënimit bërthamor nga “shteti i parë që sponsorizon terrorizmin”. Ai deklaroi se objektet bërthamore iraniane janë “thuajse plotësisht të shkatërruara” dhe i bëri thirrje Iranit që të zgjedhë paqen, duke përmendur viktimat e shumta që, sipas tij, janë shkaktuar nga veprimet iraniane gjatë dekadave.

Presidenti amerikan theksoi se ndaj objektit të Fordow, të njohur si “mali bërthamor”, avionët B-2 të Forcave Ajrore Amerikane hodhën gjashtë bomba “bunker-buster” me peshë 14 ton secila. Ndërkohë, ndaj impianteve të Natanz dhe Esfahan janë përdorur 30 raketa Tomahawk, të lëshuara nga nëndetëse amerikane nga një distancë prej 650 kilometrash.

Trump falënderoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ushtrinë izraelite për bashkëpunimin, duke deklaruar se “kurrë më parë nuk është vepruar si një skuadër kaq e koordinuar”.

Nga ana tjetër, Irani reagoi me vendosmëri përmes Organizatës për Energjinë Atomike, duke deklaruar se “zhvillimi i industrisë bërthamore nuk do të ndalet, pavarësisht konspiracioneve djallëzore të armiqve”. Sipas tyre, kjo industri është fryt i punës dhe gjakut të “dëshmorëve bërthamorë”.

Kryeministri izraelit Netanyahu vlerësoi lidershipin e Trump, duke thënë: “Historia do të kujtojë se Presidenti Trump veproi për t’i mohuar regjimit më të rrezikshëm në botë armët më të rrezikshme në botë”. Ai shtoi se kjo goditje mund të hapë një të ardhme të begatë për Lindjen e Mesme dhe falënderoi SHBA-në për aleancën e palëkundur.

Situata mbetet e tensionuar dhe me pasoja të paparashikuara për rajonin dhe më gjerë.

Disa orë pas bombardimit nga forcat amerikane të objekteve kyçe bërthamore në Iran, sirenat e sulmeve ajrore u dëgjuan herët në mëngjesin e së dielës mbi Tel Aviv, Izrael, si një përgjigje e parë e dukshme ndaj sulmit.

Sipas korrespondentit kryesor të jashtëm të Fox News, Trey Yingst, sistemet izraelite të mbrojtjes kundërraketë u aktivizuan.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit njoftuan se, pas marrjes së alarmit, njerëzve iu kërkua të hynte në një hapësirë të mbrojtur dhe të qëndronte atje deri në një njoftim të dytë.

Largimi nga hapësira e mbrojtur lejohet vetëm pas një urdhri të qartë. Vazhdo të ndiqni udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm.

Ndërkohë një tjetër raketë balistike e lëshuar nga Irani goditi Haifën pak kohë pasi bombarduesit emrikanë sulmuan centralet bërthamore të Iranit, raportuan mediat izraelite.

Publikuar nga Publik Media